E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset dhe individët duan kredi në valutë

12/01/2011  BSH: Faktorët kryesorë janë diferenca e normave të interesit dhe burimi i të ardhurave

Normat e interesit për kredinë në valutë janë stimul për rritjen e interesit të bizneseve dhe individëve pikërisht për këtë produkt. Gjithashtu, shumë prej bizneseve dhe individëve të ardhurat e tyre i kanë në monedhë të huaj, prandaj edhe kërkesa e tyre është drejtuar nga kredia në euro, apo dollarë. Sipas të dhënave të marra nga vetë bankat e nivelit të dytë në muajt e fundit të vitit që lamë pas, kredia në monedhë të huaj ka qenë më e preferuar. “Bankat presin rritje më të shpejtë të aktivitetit kreditues në valutë në tremujorin e katërt të vitit 2010. Përqindja neto e bankave që presin rritje të ritmit të aktivitetit kreditues në valutë për tremujorin e katërt të vitit 2010 është rritur në 37.4 për qind, nga 2.3 për qind një tremujor më parë. Përqindja neto e bankave që presin zgjerim të kreditimit në lekë pas një tremujori është zvogëluar në tremujorin e tretë të vitit 2010”, - theksohet në vrojtimin më të fundit të kreditimit të Bankës së Shqipërisë.

Faktorët

Ekspertët e bankave presin ulje të normave të interesit të aplikuara mbi kreditë në tremujorin e katërt të vitit 2010, si për ato në lekë ashtu edhe në valutë. “Faktorët kryesorë nxitës të kërkesës së bizneseve për kredi në valutë vijojnë të jenë diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë. Faktorët kryesorë që kanë përcaktuar kërkesën e individëve për kredi në valutë janë burimi i të ardhurave në valutë, çmimet e mallrave të blera të shprehura në monedhë të huaj dhe diferenca në normat e interesit”, - thekson vrojtimi i Bankës Qendrore. Mes pyetjeve që u janë drejtuar individëve dhe bizneseve ata kanë vlerësuar burimin e të ardhurave në valutë si faktor në një shkallë më të lartë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010.

Kredia për investime

Rritja e aktivitetit kreditues në valutë gjatë vitit 2010 sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka sjellë një rigjallërim të kredisë për investime biznesi. Gjithsesi, sipas Fullanit, problem mbetet fakti që kërkesa për kreditim mbetet ende e ulët. “Problemi kryesor, i cili kushtëzon ecurinë jo të kënaqshme të aktivitetit kreditues është kërkesa e ulët e bizneseve dhe e individëve. Banka e Shqipërisë vlerëson se, me rikuperimin e kësaj kërkese, sistemi bankar i plotëson parakushtet e nevojshme për të përmbushur funksionin e tij të ndërmjetësimit financiar: ai mbetet një sistem likuid, si në lekë, ashtu edhe në valutë, dhe i mirëkapitalizuar. Kërkesa e moderuar e sektorit privat për para është reflektuar edhe në aktivitetin kreditues. Kredia për sektorin privat u rrit me 8.0 për qind, në terma vjetorë gjatë muajit nëntor, ritme këto në nivele të ulëta historike. Kredia hipotekare dhe ajo për konsum shfaqin një ecuri të dobët”, - është shprehur Guvernatori në një përmbledhje për ecurinë e vitit 2010. Sipas të dhënave zyrtare, nga struktura e tepricës së kredisë sipas monedhave vazhdon të mbizotërohet nga kredia në valutë, duke përbërë rreth 67.1 për qind të totalit të tepricës së kredisë me rreth 309.2 miliardë lekë. Në shtator pesha specifike e kredive për individët, arriti në nivelin 32.0 për qind. Deri në shtator 2010 teprica e kredisë për ekonominë arriti në 460.8 miliardë lekë. Rritja e tepricës së kredisë, krahasuar me muajin gusht shënoi vlerën 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 0.3 për qind.

309.2 miliardë lekë

Shifra i përket kredisë në valutë për muajin shtator 2010, duke përbërë rreth 67.1 për qind të totalit të tepricës së kredisë.

460.8 miliardë lekë

Kjo është teprica e kredisë për ekonominë deri në shtator të 2010-ës, e cila është rritur me 1.3 miliardë lekë, krahasuar me gushtin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›