E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameramani “harron” në gjykatë pamjet që filmoi gjatë masakrës së Cërrikut

12/01/2011  Malo Bardhoshi: Kanë kaluar kohë, nuk i kujtoj dot fytyrat e autorëve

TIRANE- Procesi gjyqësor kundër 9 të pandehurve të Bandës së Cërrikut ka vijuar dje me dëgjimin e dëshmisë së kameramanit që gjatë vitit 1997 ka filmuar pamjet e masakrës ku u vranë 6 gardistët e Gardës së Republikës. Malo Bardhoshi ka treguar para trupit gjykues se ditën e ngjarjes ai ka qenë në qytetin e Cërrikut dhe se aty kishte parë të kalonte autokolona me forcat e ushtrisë. Gjatë pyetjeve të drejtuara nga prokurorët Adnand Xholi dhe Anton Martini, Bardhoshi është përgjigjur se autokolonën e ushtrisë kishte filluar ta filmonte sapo dëgjoi të shtënat e armëve. Dëshmitari është treguar shumë i rezervuar në dhënien e deklarimeve, duke pohuar se nuk i mbante mend emrat dhe fytyrat e autorëve të krimit për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga kjo ngjarje. Pavarësisht këmbënguljes së prokurorëve, për të treguar rrethanat dhe faktet e masakrës së Cërrikut, kameramani që ka filmuar gjithçka nga kjo ngjarje nuk ka treguar shumë detaje. Para trupit gjykues ai është treguar tepër i kujdesshëm, duke pohuar se nuk mbante mënd nga pamjet filmike që ka regjistruar me kamerën e tij amatore. Ndërkohë nga ana tjetër Prokuroria shprehet ai ka filmuar të gjithë ngjarjen kriminale, duke regjistruar edhe vrasjen e 2 nga gjashtë gardistët e ekzekutuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›