E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu dekreton Kodin Zgjedhor

11/01/2005  

Presidenti i Republikës ka dekretuar dje Ligjin për Kodin Zgjedhor edhe pse ky i fundit nuk kishte marrë votën përfundimtare nga deputetët. Shkak për këtë ka qenë kërkesa e kreut të deputetëve socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar hyrjen në fuqi menjëherë. Sipas juristëve, kjo procedurë është e palejueshme, pasi një ligj hyn në fuqi vetëm pasi të jetë marrë firma e kreut të shtetit. Kjo ka detyruar Kryetarin e Kuvendit që të kërkojë nga Moisiu firmosjen e draftit me procedurë të përshpejtuar, ndërsa deputetët i ka njoftuar për një orë pushim. Menjëherë pas kësaj kërkese, burimet thanë se Moisiu ka mbledhur stafin e këshilltarëve, të cilët kanë pranuar firmosjen e projektligjit. Duke e konsideruar një draft të rëndësishëm, Servet Pëllumbi ka rimbledhur seancën, në orën 15:05, duke i deklaruar në mirëbesim deputetëve të votojnë hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit. Ka qenë deputeti i LSI-së, Spartak Braho, që nuk ka pranuar votimin pa pasur më parë dekretin e Presidentit të zbardhur. Ndaj dhe seanca është mbledhur në orën 18 të mbasdites, duke marrë dhe votën përfundimtare të deputetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›