Xhafaj: Karta, procesi i gjithi në një sportel
PS-ja propozon katër masa për zgjidhjen e ngërçit për kartat, ku qytetari të shkojë vetëm në stacionin e aplikimit
Kur kanë mbetur afër dy muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare, Partia Socialiste hedh në tryezën e debatit politik disa propozime konkrete për mënyrën sesi mund të bëhet e mundur pajisja e të gjithë shtetasve pa pasaportë me kartë identiteti, çka do të sillte si rrjedhojë dhe shpëtimin e procesit të ardhshëm zgjedhor.
Në një dalje për mediat, sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, i ka propozuar qeverisë që të miratojë një skemë të posaçme, ku të thjeshtohet procedura e aplikimit, duke i bërë të gjitha veprimet në një stacion, ndërsa karta të jepet falas.
"Ne kemi kohë që i kërkojmë Kryeministrit një vendim fare të thjeshtë, që formalizon një procedurë shumë të qartë aplikimi, duke realizuar heqjen e çdo lloj pengese mbi të gjithë votuesit pa pasaporta, që aplikojnë për letërnjoftim elektronik, si domosdoshmëri e ushtrimit të së drejtës kushtetuese për të votuar.
Shkurt, realizimin e këtij procesi sipas parimit "One Stop Shop", ose e thënë ndryshe të gjithë shërbimin në një sportel", - tha Xhafaj.
Më konkretisht, selia rozë duke iu përmbajtur kësaj skeme, propozon që votuesi të shkojë drejtpërdrejt te stacioni i aplikimit, pa qenë i detyruar të shkojë te zyra e bashkisë, komunës, e pensioneve apo në postë për të marrë kuponin përkatës.
Aty votuesi duhet të vetëdeklarojë në një dokument standard të nënshkruar prej tij, për statusin përkatës, të përqasur me listat zyrtare, dokument i cili mbahet nga firma koncesionare dhe i paraqitet shtetit për efekt të detyrimit financiar.
Ndërsa organet shtetërore realizojnë në vijimësi procesin e shlyerjes së detyrimit nga shtetasit që kanë përfituar këtë shërbim kundrejt tarifës përkatëse.
"Me këtë vendim mundësohet eliminimi tërësisht i taksës së votës, burokracia e tepërt, mundësit për aplikim selektiv, çdo lloj mundësie për manipulim, si dhe fitohet koha e humbur, në kushtet kur jemi në afatet minimale kohore", - u shpreh më tej Xhafaj.
Duke e konsideruar këtë propozim si mundësinë e fundit për të shpëtuar procesin e ardhshëm zgjedhor, selia rozë i bën thirrje Kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga deklaratat politike dhe ta konsiderojë çështjen si tepër serioze.
Në të kundërt, në rast të mosmarrjes së masave të menjëhershme dhe radikale për të ndryshuar qëndrim në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimi elektronik, atëherë socialistët vlerësojnë se politikisht, ligjërisht, moralisht dhe praktikisht, procesi mund të konsiderohet i dështuar, dhe bashkë me të, edhe detyrimi solemn për të garantuar zgjedhje sipas standardeve evropiane për qytetarët shqiptarë.