E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohen kriteret për fazën e tretë, 4 mijë kuota bosh

Faza e tretë e regjistrimeve do të kryhet me anë të Formularit A3, por në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit, formularin mund ta plotësojnë edhe studentët që tashmë janë regjistruar. Ata, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë një shkollë të lartë apo nuk kanë fituar shkollën që kanë dëshiruar, do të duhet të plotësojnë formularin e ri, që do të shpërndahet ditët në vijim. Sakaq, edhe në degët që kanë përfunduar regjistrimet do të jepet edhe një shans i fundit, pasi do të shtohen pesë kuota për çdo degë minimalisht, pas vendimit të fundit të ministrit Beja.

Si do të aplikohet

“Kuotat e lira do të jenë për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të konkurronin deri dje, të mund të konkurrojnë përsëri gjatë javës që vjen e në vazhdim dhe të mund të shkojnë që të gjithë në universitete”, – deklaroi ministri i Arsimit.

Sipas tij, shtimi i pesë kuotave të lira në çdo degë “është një mundësi njëkohësisht, për të gjithë ata të cilët janë regjistruar tashmë jo në preferencën e tyre të parë, por në preferencën e dytë apo më tej”, në mënyrë që të përmirësojnë preferencën e tyre.

Sipas ministrit Beja, të gjithë ata që duna të ndryshojnë një program studimi, do të duhet të aplikojnë në këtë formular, i cili do të përmbajë degët që kanë kuota të lira dhe do të jetë i ngjashëm me Formularin A2.

Sipas ministrit, kjo metodë “është një mundësi për të korrigjuar atë kalkulim jo dhe shumë të saktë që vetë ata kanë bërë në preferencën e tyre, por është një mundësi që këtë radhë të jenë më të saktë në përllogaritjet në mënyrë që të jenë të suksesshëm”.

Kujdes! MeP

Por, aplikimi me anë të formularit të ri duhet të jetë i kujdesshëm nga maturantët. Kjo, pasi për shkak të kuotave të pakta që kanë mbetur, mundësia për të hyrë në fakultetet e parapëlqyera janë minimale dhe janë të destinuara vetëm për maturantët me nota më të mira. “Ata që aplikojnë duhet të bëjnë më saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë, – këshilloi ministri i Arsimit. – E them këtë sepse në ato fakultete, të cilat janë më të preferuara, janë vetëm 5 kuota që hapen dhe kjo krijon një mundësi jo për shumë studentë, por vetëm për ata që tashmë kanë pikët maksimale dhe për arsye, jo vetëm merite, por dhe administrative nuk kanë arritur të kualifikohen”.

Në këtë mënyrë, përzgjedhja duhet të bazohet mbi numrin e pikëve të grumbulluara nga maturantët, por edhe nga kuotat e mbetura bosh në universitete, në mënyrë që dega ku maturanti do të aplikojë, të mos jetë “e pakapshme” nga ai, pasi është mundësia e fundit për të hyrë në një universitet publik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›