Pranga dy policëve, kapo të xhepistëve në autobusë
Pak ditë më parë, dy punonjës policie, të veshur civilë, ishin duartrokitur nga udhëtarët e një autobusi, kur ata ndërhynë për të kapur një hajdut xhepash, që sapo i kishte vjedhur portofolin një të moshuari. Madje, i kishin puthur e përqafuar për disa momente. Por kurrë nuk u kishte shkuar në mendje, se pikërisht persona që paguhen për të mbrojtur qytetarët, mund të ishin vetë krerët e hajdutëve të xhepave. Bëhet fjalë për dy oficerë policie, jo ata që kapën hajdutin, por që shfrytëzonin persona me precedentë penalë për të kryer vjedhje dhe i detyronin të ndanin paratë me ta. Dy oficerë të seksionit të vjedhjeve pranë Komisariatit nr. 3 të Policisë së Tiranës janë arrestuar dje me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas burimeve zyrtare nga policia, arrestimi i dy efektivave të sektorit të Hetimit të Krimeve Kundër Pronës, është bërë në kushtet e flagrancës, ndërsa kishin përfituar një shumë prej 30 mijë lekësh të reja. Paratë ishin marrë prej oficerëve tek disa persona me precedentë penalë, të cilëve efektivat e policisë u krijonin lehtësira dhe imunitet nga ndjekja penale e arrestimi kundrejt ryshfetit. Burimet policore bënë të ditur se operacioni është realizuar nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me njësinë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Sipas hetimeve, SHKB-ja kishte marrë informacion se efektivët Preng Frroku, 43 vjeç, me gradë kryeinspektor dhe Besnik Prendi, 34 vjeç, me gradë inspektor, të dy me detyrë ndihmësspecialistë te vjedhjet, shfrytëzonin hajdutët, sidomos të autobusëve, të cilët i detyronin të punonin për ta. Sipas të dhënave, policët u kishin dhënë imunitet që të vidhnin, me kusht që gjysmën e parave t’ua kalonin atyre. Kështu kanë vepruar për një kohë të gjatë, ndërkohë që informacioni ka kaluar në SHKB. Menjëherë kanë nisur hetimet me gjithë metodat speciale, që nga përgjimi dhe vëzhgimi dhe është marrë kontakt me hajdutët. Pas përpunimit të tyre, është rëndë dakord që dje t’u dërgohen dy efektivëve të policisë 30 mijë lekë të reja. Pasi janë shënuar gjithë numrat e serisë nga grupi hetimor, hajdutët kanë shkuar t’u japin paratë policëve. Sapo dy punonjësit e policisë kanë marrë paratë, agjentët e SHKB-së kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin dhe sekuestrimin e parave.
#