E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet një nismë për referendum që prek çështjet e shqiptarëve në Maqedoni

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni në bazë të ligjeve të vendit miratoi sot nismën për referendum të një partie minore ultranacionaliste maqedonase të njohur si “Dinjiteti”. Kjo parti sipas vendimit të sotëm ka të drejtën e grumbullimit të 100 firmave për të nisur organizimin e referendumit të pagëzuar “Dinjiteti për Maqedoninë”, me të cilin kërkohet që populli maqedonas të deklarohet kundër vendimit që lejon që pjesëtarët e ish-UÇK-së të kryejnë funksione publike në Maqedoni. Ky vendim ka të bëjë me faktin e emërimit të Talat Xhaferit, ish-komandantit të UÇK-së për ministër të mbrojtjes, që nxiti reagime dhe protesta në Maqedoni.

Siç raporton korrespodenti i Noa.al në Shkup, kërkesë tjetër në referendumin prej katër pikave është edhe rishqyrtimi i ligjit për organizim territorial, apo çështja e komunave Strugë dhe Kërçovë, që tashmë po dominohet nga shqiptarët si dhe kërkesa për rishqyrtimin e amnistisë për ish-UÇK-në.

Kryetari i organizatës politike “Dinjitet”, Stojançe Angelov ka theksuar se gjatë dy ditëve të ardhshme do të grumbullohen më tepër se 100 firma fillestare dhe se nisma pastaj do ti dorëzohet Parlamentit.

“Kryetari i Parlamentit është i obliguar që në afat prej 3 ditësh të përgjigjet lidhur me rregullsinë e iniciativës sonë. Nëse ai vlerëson se iniciativa jonë nuk është në rregull, atëherë ai duhet ta vendosë iniciativën tonë në rend dite gjatë seancës së parë të ardhshme, por jo më vonë se 15 ditë. Nëse iniciativa jonë është në rregull, në ligjin për referendum ka një nen i cili parashikon që kreu i Qeverisë të njoftojë organin përgjegjës (KSHZ) për mbledhjen e firmave, dhe këtu shpresojmë se nuk do të hasim në pengesa nga ana e kryeministrit, pasi ky afat nuk është i përcaktuar me ligjin për referendum”, theksoi Angellov.

Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi theksoi sot se iniciativa e “Dinjitetit” nuk qëndron pasi katër pyetjet e shtruara në këtë iniciativë janë në kundërshtim me Ligjin për shpallje të referendumit. Partitë politike shqiptare kanë kundërshtuar këtë nismë për referendum pasi sipas tyre ajo mund të rrënojë procesin e integrimeve ndëretnike dhe procesin e stabilitetit në vend./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›