E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës shtron asfalt

Policia e Kosovës, pos përkujdesjes për të vendosur rend, po kujdeset edhe në punët e infrastrukturës. Kujdestarët e rendit, së fundmi janë angazhuar që të sanojnë asfalt.

Rreth gjysmë kilometri asfalt, me urdhrin e Policisë së Kosovës është hedhur në pikën kufitare në Mutivodë.

Policia i ka dhënë tenderin kompanisë , “NT FER PETROL” nga Drenasi për tenderin “Asfaltimi i rrugëve në pikën kufitare Mutivodë”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 9 mijë e 487 euro.

Ndonëse, gjatë realizmit të punëve duhet të ketë ekspertë të infrastrukturës nga ana e Institucionit që i jep punë kompanisë, zyrtar të Policisë, thanë se bëhet fjalë për sanim të rrugës brenda perimetrit të pikës kufitare të Kosovës.

Indeksonline ka kërkuar përgjigje, se a ka ekspertë Policia për të bërë pranimin teknik të punëve, por nuk ka marr përgjigje konkrete rreth kësaj çështjeje. Zyra për Informim e policisë ka kthyer një përgjigje që nuk ka të bëjë me pyetjen që i është dërguar me postë elektronike nga Indeksonline.

“Ne zbatim te marrëveshjes se IBM duke marrë parasysh afatet e shkurtra kohore te implementimit, Policia e Kosovës ka marre përsipër kryerjen e punëve teknike dhe rregullimin e infrastrukturës ne pikat kufitare qe kane qene përgjegjësi e palës kosovare sipas marrëveshjes. Në kuadër të kësaj marrëveshje është edhe asfaltimi, sanimi i pjesëve të dëmtuara i kësaj sipërfaqe brenda perimetrit të pikës kufitare në madhësi prej 600 m2 në nivel prej 4 cm”, ka bërë të ditur, Zyra për marrëdhënie me publikun e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, të gjitha këto punë teknike dhe infrastrukturore të kësaj pike dhe pikave tjera kufitare janë punë që janë kryer brenda perimetrit të zonës kufitare dhe nuk kanë të bëjnë me hapësira tjera publike e as me asfaltim te rrugëve.

Siç, dihet Mutivoda është pikë kufitare në territorin e Komunës e Prishtinës. Indeksonline ka kërkuar të di nga Komuna nëse janë të njoftuar për punët e Policisë, por ata kanë thënë se një rrugë në Mutivod janë duke e asfaltuar me Ministrinë e Infrastrukturës.

“Është rrugë disa kilometra. Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës kanë financuar për asfaltimin e asaj pjese, deri në pikën kufitare në Mutivod”, tha zyrtari për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prishtinës, Asdren Osaj./M.B/ /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›