Deputetët duan rritje të pagës
Deputetët nuk janë të kënaqur me pagën e tyre dhe si rrjedhojë kërkojnë rritje të saj. Ata shprehen se me rritjen e bërë në korrik, kategoria e deputetëve nuk ka përfituar asnjë shtesë. Madje, sipas deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, ka pasur ulje të pagës, duke propozuar rritje, sikurse përfituan të gjithë buxhetorët më 1 korrik. Por drejtoresha e Buxhetit në ministri sqaroi se paga e deputetit ndryshon në përputhje me pagën e Presidentit. "Paga e Presidentit pësoi rritje me 10 mijë lekë, duke e çuar në 250 mijë lekë. Në bazë të saj, përfitojnë dhe deputetët, në varësi të koeficientit 0.65 për qind", tha ekspertja e ministrisë. Por Neranxi ka insistuar për rritje page, duke propozuar rritje të saj më 1 maj 2009.