E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis puna për zëvendësimet në KLD

Paralel me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, duhet të nisë puna për zëvëndësime dhe brenda KLD-së. Ish ministri i Drejtësisë, deputeti Enkeled Alibeaj i bën thirrje gjyqtarëve të mbledhin konferencën dhe zgjedhin 4 anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

"Duket në këtë rast që ka një lloj vonese, së paku për dy prej anëtarëve, që ka shkuar në një vit. Ajo cfarë do të duhet besoj unë, për të zgjidhur këtë lloj ngërci, është që vetë asambleja e trupës gjyqësore të ndërgjegjësohet mbi këtë lloj mosrregullimi sipas urdhërimeve kushtetuese, të mblidhen", thotë Enkeled Alibeaj, ish ministër i Drejtësisë.

Alibeaj njofton se së shpejti ligji për konferencën gjyqsore, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, do të jetë pjesë e axhendës së Kuvendit. Por mungesa e këtij ligji, sipas tij nuk duhet të shërbejë si alibi për përcarjen në radhët e asamblesë së trupës gjyqësore që ende nuk është mbledhur.

"Do të jetë një cështje që do të jetë në kalendarin e punimeve të Parlamentit por që kjo nuk është kurrsesi pengesë për të proceduar në zgjedhjen e anëtarëve të KLD", vijoi Alibeaj.

Deputeti i maxhorancës ka dhe një koment për zërat kundër vetëorganizimit të gjyqtarëve në KLD. Sipas tij, është e jashtëligjshme prania në punimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e 2 anëtarëve të cilëve prej 1 viti i ka mbaruar mandati. "KLD është një derivat i vullnetit të asamblesë së gjyqtarëve. Nuk mund nëse është e pranueshme që disa anëtarë të KLD apo dikush tjetër jashtë KLD të ketë të drejtën të qortojë sjelljen e trupës gjyqësore", tha ai. Në fund të muajit, 2 anëtarë të tjerë të KLD do të jenë pa mandate.

Elona Gjylmi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›