E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rezoluta për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës

PRISHTINE-Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, me të cilën zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në fund të këtij viti.

Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur nga të gjitha subjektet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Për miratimin e rezolutës kanë votuar 83 deputetë, 13 ishin kundër, kurse 1 abstenoi.

Teksti i harmonizuar i rezolutës është lexuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Rezoluta e lexuar nga deputeti Grabovci fton edhe Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe fillimin e ndryshimeve kushtetuese për bartjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.

Rezoluta është mbështetur nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se me këtë vendim, Kuvendi po miraton përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe fillimin e pavarësisë së plotë të Kosovës.

Por, Visar Ymeri i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se arsyeja pse nuk e përkrahin rezolutën është se përmes saj Kuvendi duhet të marrë disa obligime, e që sipas tij, nuk saktësohet se për çfarë obligimesh bëhet fjalë.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo rezolutë ka si qëllim të koordinojë veprimet e institucioneve të vendit me ato ndërkombëtare rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Vetëvendosje sfidon PDK-në me tjetër rezolutë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›