E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rezoluta për integrimin, injorohen tentativat e të majtëve për të bllokuar vizat

S’pranohet kushtëzimi i vizave me tekat e Edvinit. Berisha: Rezoluta, moment historik, shqiptarët pranë marrjes së vizave. Meta: Konfirmon angazhimin e BE-së për Shqipërinë


UPDATE- Me 59 vota ‘pro’ dhe 1 kundër, Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian ka miratuar pak minuta më parë raportin e eurodeputetit grek Nikolaos Chountis, për integrimin evropian të Shqipërisë. Propozimi u kundërshtua fort nga socialistët evropianë, të cilët ishin urdhëruar nga homologët e tyre shqiptarë, për të kërkuar shtyrjen e rezolutës, duke nënkuptuar kështu një tentativë për bllokimin e vizave. Fatmirësisht propozimi i socialistëve u hodh poshtë nga partitë e tjera në komision, të cilat vlerësuan më emergjente aprovimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë sesa tekat e politikës së opozitës shqiptare. Për rezolutën ndaj Shqipërisë ishin propozuar 114 amendamente, në të cilat vërehet qartë mbështetja politike e grupeve përkatëse politike në Parlamentin Europian. Rezoluta mirëpret vendimin e 27 Majit të Komisionit Europian për të propozuar heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe i bën thirrje Komisionit të verifikojë që të gjitha kriteret që kanë mbetur të plotesohen në muajt e ardhshëm, me qëllimin për ti hapur rrugë, Këshillit dhe parlamentit të miratojne liberalizimin e vizave per qytetaret shqiptare brenda fundit të ketij viti. Rezolutia e Chountis nxit fuqimisht të gjitha forcat politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv duke përfshirë ketu diskutimet mbi një ligj të ri elektoral që do të garantojë transparencë të plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme. “Parlamenti Evropian përshëndet përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor dhe vë në dukje se, sipas vlerësimit të OSBE / ODIHR, zgjedhjet parlamentare të qershor 2009 përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare”- thuhet në rezolutën e sapo miratuar. Në bazë të rezolutës së Parlamentit Evropian, ngërçi politik në Shqipëri mund të tejkalohet vetëm duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Disa nga pikat më të diskutuara gjatë ditëve të fundit nga parlamentarët evropianë, ka qenë pika 3, e cila i referohet situatës politike dhe pika 6, që ka të bëjë me procesin e heqjes së vizave Shqipëri-BE. Eurodeputetët kanë mbrojtur në unison qëndrimin e tyre racional, për një zgjidhje të shpejtë të situatës politike, por kjo çështje i përket faktorëve të brendshëm shqiptarë. Lidhur me liberalizimin e vizave, Strasburgu vlerëson se s’duhet të përzihet kjo perspektivë e jashtëzakonshme e vendit me ngërçin politik. Komisioni i Jashtëm në KE miratoi gjithashtu sot dhe Rezolutën për procesin e integrimit të Kosovës në BE, të hartuar nga Shqipëria.


Berisha: Rezoluta, historike për liberalizimin e vizave dhe integrimin Shefi i ekzekutivit thotë se pas verifikimit të kushteteve nga ekspertët, të cilët vijnë në korrik, Komisioni Evropian do marrë vendimin për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë Kryeministri Sali Berisha përshëndeti nga mbledhja e Këshillit të Ministrave miratimin e rezolutës në Parlamentin Evropian, për integrimin e Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave. Berisha tha se vota për rezolutën është historike. Ai pohoi se miratimi i rezolutës është një arritje madhore në procesin e heqjes së vizave. “Dita e sotme shënon një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces në të cilën sipas Traktatit të Lisbonës, Parlamenti Evropian ka një zë përcaktues. Vota e sotme në PE ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie, por jo vetëm të qeverisë por të të gjitha institucioneve që me përkushtim të madh kanë punuar për të konkretizuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE-së për heqjen e vizave”- deklaroi kryeministri Berisha. Lidhur me liberalizimin e vizave, shefi i ekzekutivit tha se qeveria shqiptare ka marrë me seriozitet 3 porositë e KE-së dhe ka punuar për plotësimin e tyre. “Në korrik do të vijnë përfaqësues të KE-së për të parë si janë plotësuar kriteret. Gjatë korrikut do vijnë edhe një herë përfaqësues të Komisonit që funksionin në parimin e Shën Thomait, vjen e i prek gjërat vetë dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë. Ata do vijnë te agjencitë tona dhe do konstatojnë seriozitetin me të cilën kemi marrë porositë e tyre”- u shpreh kryeministri. Në këtë sens, sipas Berishës, një nga kërkesat kryesore që ishte strategjia për integrimin e të riatdhesuarëve është plotësuar. Po ashtu, kreu i qeverisë garantoi se lufta me vendosmëri për zbatimin e ligjit të konsfiskimit të pasurive të krimit të organizuar po njeh nivele të reja. Kryeministri theksoi se asnjë shtetas shqiptar nuk do qendrojnë në vendet e BE-së më shumë se 90 ditë.


Rezoluta, zv/kryeministri Meta: Konfirmon angazhimin e BE-së për Shqipërinë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka përshëndetur sot miratimin e rezolutës nga Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian për integrimin europian të Shqipërisë. Meta tha se rezoluta konfirmon angazhimin e BE për Shqipërinë.
Sipas ministrit të Jashtëm, rezoluta është një hap pozitiv drejt liberalizimit të vizave. Ministri garantoi se çëshjet e mbetura për heqjen e vizave do përmbushen shpejt. Ai premtoi se shqiptarët do lëvizin pa viza në BE brenda 2010-ës.
Duke iu referuar opozitës, Meta nënvizoi se duhet të kontribuojë në integrimin e vendit dhe jo të bëjë deklarata me qëllim pengimin e proceseve integruese.


Raporti


Parlamenti Evropian miratoi sot në mesditë rezolutën për integrimin Evropian të Shqipëri, e cila flet për një ecuri pozitive të vendit drejt realizimit të “detyrave” të Brukselit. Drafti i përgatitur nga eurodeputeti grek, Nikolaos Chountis, u prezantua para deputetëve evropianë dhe pas diskutimeve u hodh në votim, duke aprovuar kështu një nga dokumentet më të mirë që në një farë mënyre mund të konsiderohet pa mëdyshje si një “hartë” drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Raporti flet për një progres të qartë, realizim të reformave dhe angazhim korrekt të autoriteteve për të afruar vendin me strukturat e integrimit evropian. Drafti qartëson se liberalizimi i vizave nuk do të kushtëzohet nga ngërçi politik, duke e specifikuar këtë si si një çështje të brendshme të Shqipërisë dhe që i takon klasës politike aty. Në draftin e tij Chountis evidenton me nota vlerësuese progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, ndërsa përmend dorëzimin e kërkesës për statusin kandidat si një moment të rëndësishëm, për afrimin me strukturat evropiane. Për sa i takon liberalizimit të vizave, hartuesi i raportit për Shqipërinë, Chountis thekson se është bërë një punë e mirë në drejtim të plotësimit të kushteve dhe se pritet të zbarkojë në Shqipëri një grup i ekspertëve të Komisionit Evropian. Grupimet politike kanë diskutuar për raportin në fjalë dhe kanë vendosur që raporti të votohet gjatë ditës së sotme. Megjithëse socialistët europianë kërkuan që të shtyhet diskutimi dhe miratimi i raportit, grupimi i djathtë në PE hodhi poshtë këtë qëndrim, duke konfirmuar se raporti do të kalojë sa më shpejt, për t’i dhënë një hov të ri reformave dhe progresit të vendit. Komisioni për politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian vendosi dje pasdite shqyrtimin dhe miratimin e raportit për integrimin evropian të Shqipërisë, gjatë seancës së sotme. Gjatë diskutimeve ne komision, u paraqitën dy qëndrime një i Partisë Popullore Evropiane dhe një i socialistëve evropianë. PPE-të gjykuan se në Shqipëri situata politike nuk është ekstreme dhe kësisoj procesi i integrimit duhet të vazhdojë normalisht, duke shtuar se raporti do të votohet gjatë ditës së sotme. Ndërsa qëndrimi i Partisë Socialiste dhe i grupit të liberalëve, është që t’i jepet edhe një shans më shumë mazhorancës dhe opozitës, për të gjetur një zgjidhje lidhur me ngërçin politik. Sipas eurodeputetëve nuk do të ishte frytdhënëse shtyrja e votimit të raportit për integrimin, pasi siç u shprehën ata në këto kushte është më tepër e domosdoshme që t’i jepet hov përpjekjeve të qeverisë, në rrugën e saj drejt afrimin me strukturat evropiane.


Nikolaos Chountis “Nuk ka kuptim të shtyhet raporti për integrimin evropian të Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse të penalizohen nga situata politike në Shqipëri, prandaj atyre u duhet dhënë e drejta e qarkullimit të lirë në hapësirën evropiane “Schengen”, në mënyrë afatshkurtër. Mesa duket ngërçi politik nuk do arrihet të kapërcehet. PPE-të kanë mbështetur qëndrimin e mazhorancës dhe qeverisë dhe raporti do të votohet të enjten”.


Doris Pack “Nuk ka asnjë arsye që të shtyhet miratimi i raportit. Rama duhet të heqë dorë nga kutitë. Shqipëria nuk është një vend i Lindjes së Mesme, nuk është duke qeverisur Hamasi, por një qeveri legjitime me një lidership si kryeministri Sali Berisha. Në Shqipëri, ka ligje ka edhe një kushtetutë, askush nuk mund t’i kërkojë një qeverie që të hapë kutitë e votimit dhe as që të thyejë ligjin. Shqipëria ka përmbushur udhërrëfyesin e vizave dhe do të ishte e pafalshme që vendi të mbahej peng nga interesat e disa politikanëve. Nuk është e drejtë që të shtyhet miratimi i raportit. Ne do ta kalojmë atë seancën e radhës të parlamentit evropian”.


Libour Rouçek “Rezoluta është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ne vendosëm gjatë pasdites dhe rezoluta do votohet nesër. Ne jemi të informuar për situatën politike në Shqipëri dhe më duhet të them se në Parlamentin Evropian ka pozicione të ndryshme të grupeve politike lidhur me rezolutën, duke ditur që ka një ngërç politik atje”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›