E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet rregullorja, ndryshime në Maturën Shtetërore



Ministria e Arsimit ka bërë dje publike Rregulloren e Maturës Shtetërore, ku përcaktohen të gjitha detajet nga hartimi i formularëve të kandidimit, deri në vlerësimin e testeve të maturantëve. Burime nga Ministria e Arsimit bën të ditur se sot do të publikohet formulari i aplikimit për lëndët me zgjedhje dhe një pjesë e programeve orientuese, ndërsa brenda javës do të publikohen të gjitha programet.

Ndryshimet e përcaktuara këtë vit kanë të bëjnë me lëndët me zgjedhje. Personat që kanë marrë lëndët me zgjedhje vitin e kaluar, nuk janë të detyruar që t`i rijapin ato këtë vit. Ndërkohë që kandidatët për në Akademinë e Arteve dhe në Akademinë e Sporteve nuk do të duhet të japin provimet me zgjedhje për t`u pranuar, në ndryshim nga të gjitha degët e tjera të universiteteve publike.

Formulari i aplikimit për lëndët me zgjedhje këtë vit është ndarë në Formularin A1 dhe Formularin A1z, i pari për të dhënat personale të kandidatit dhe i dyti për lëndët me zgjedhje. Vitin e kaluar këta formularë ishin të integruar në Formularin A1.

Formularët

Rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton në nenin 20 se më datë 11 shkurt, pra sot, do të publikohen Formularët A1 dhe A1z, së bashku me udhëzimet përkatëse, të cilat do të përmblidhen në një tabelë të përbashkët. Udhëzimet do të dorëzohen në shkolla më 20 shkurt, kur do të nisë edhe plotësimi i tyre nga maturantët. Sipas udhëzimit, plotësimi i formularëve duhet të përfundojë më 10 mars, datë që mblidhen dhe dorëzohen në komisionet përkatëse të Maturës Shtetërore.

Ndërkohë, deri më datën 1 prill, Ministria e Arsimit do të publikojë Formularin A2, sipas udhëzimit, që shërben për degët e shkollave të larta që përzgjedh kandidati. Këta formularë duhet të dorëzohen përpara datës 30 qershor në komisionet përkatëse.

Njihen provimet me zgjedhje

Ndryshimi thelbësor i këtij viti në Maturën Shtetërore është njohja e rezultateve të provimeve me zgjedhje për ata që kanë përfunduar shkollën vitet e kaluara. Në maturën e vjetshme, ata që kishin dhënë provimet me zgjedhje një vit më parë, do të duhet t`u rinënshtroheshin provimeve për të aplikuar në shkollat e larta.

Sipas rregullores, të gjithë nxënësit që në vitet e kaluara shkollore “dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik për t`u regjistruar në këto shkolla, këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara”.

I vetmi përjashtim është në rastin kur studenti ka dëshirë të rijapë provimet. Por në këtë rast, do të quhen të vlefshme rezultatet në provimin e fundit të dhënë dhe jo rezultatet më të mira.

Akademitë, pa Z1 dhe Z2

Duket se protestat e vitit të kaluar të studentëve fitues në Akademinë e Arteve dhe atë të Sporteve për mosnjohjen e rezultateve të provimeve me zgjedhje janë reflektuar këtë vit në rregulloren e Maturës. Në këtë mënyrë, kandidatët që duan të vazhdojnë studimet në këto programe, nuk janë të detyruar të japin provimet me zgjedhje. Por, nëse në formularin A2 do të shënojnë edhe degë të tjera për të aplikuar, përveçse këtyre programeve, atëherë duhet të japin provimet me zgjedhje.

“Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje”, – përcakton udhëzimi.

Të padiplomuarit

Klauzola të veçanta janë përcaktuar edhe për ata që kanë përfunduar shkollën përpara vitit 2006, kur hyri në fuqi Matura Shtetërore, si edhe për ata që ndonëse kanë marrë diplomën e pjekurisë, duke dhënë provimet e detyrueshme, nuk kanë arritur të sigurojnë notë kaluese në provimet me zgjedhje.

Personat që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2005-2006 dhe kanë marrë dëftesën e pjekurisë, do të duhet të japin vetëm provimet me zgjedhje. Ata duhet të paraqiten në shkollat e mesme ku kanë përfunduar ose në drejtoritë arsimore, nëse këto shkolla nuk ekzistojnë, për të aplikuar. Dokumentacioni që duhet të paraqesin është vërtetimi që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë; një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit ose letërnjoftim); dhe kërkesë me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.

Ndërkohë, personat që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara këtij viti, por nuk kanë marrë dëftesën e pjekurisë, do të duhet t`i japin të katërta provimet. Ata duhet të plotësojnë Formularin A1, pasi të kenë dorëzuar në shkollë ose në Drejtorinë Arsimore, nëse shkolla nuk ekziston, dokumentet e nevojshme. Dosja përmban të gjitha dokumentet e sipërpërmendura, me përjashtim të kopjes së noterizuar të dëftesës së pjekurisë.

Për sau përket personave që kanë përfunduar shkollën vitet e kaluara, kur ekzistonte Matura Shtetërore, por kanë marrë vetëm provimet e detyrueshme dhe jo ato me zgjedhje, duhet të rijapin provimet me zgjedhje, duke plotësuar Formularin A2. Përjashtim përbëjnë akademitë.

Nxënësit jashtë shtetit

“Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet me zgjedhje”, – përcakton udhëzimi.

Ata duhet të paraqesin në Ministrinë e Arsimit nga data 1 deri më 15 prill një kërkesë me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike; dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; dhe pasaportë, certifikatë lindjeje me fotografi ose letër njoftimi.

Kur përjashtohesh nga provimet

Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk qëndron në vendin që i caktohet.

Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër.

Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit.

Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës/kandidatë të tjerë.

Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.

Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim, të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vetëm për provimin e matematikës, vizore e kompas.

Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.

Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit.

Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (bar-kodin) të vendosur në test.

Dëmton testin (palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë.

Sanksionet

Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër; nën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit; merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës/kandidatë të tjerë; ose merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve. Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e mësipërme, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët. Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit,evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit.

Rregulloren e plotë të Maturës Shtetërore mund ta gjeni në faqen tonë në internet, www.gazeta-standard.com

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›