Vlorë, ndihmoi me kopje studentin në provim, nën hetim pedagogia
Një pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomisë në Universitetin Ismail Qemali të Vlorës, do të jetë tashme pjesë e një hetimi të iniciuar në prokurori. Veronika Dyrmishi, pedagoge e biznes-turizmit në UV, prej më se 10 vitesh është hequr nga puna më datën 26 janar 2009 për shkelje të rëndë të rregullores së universitetit.
Propozimi për shkarkimin e pedagoges është bërë nga dekanati disa ditë para vendimit të marrë për largimin e saj nga puna. Shkak për largimin e Dyrmishit nga radhët e akademikëve të UV-së ka qenë dhënie e kopjes identike të provimit një studenti të saj, pikërisht një ditë pasi rektorati me vendim të senatit kishte urdhëruar sekretimin tërësor të fletoreve të provimit dhe tezave. Studenti është kapur me kopje identike të tezës së provimit, e për më tepër të zgjidhur dhe kaq ka mjaftuar që ajo tashmë të mos jetë më pedagoge. Por ska mbaruar këtu. Tashmë Veronika Dyrmishi po përballet me prokurorinë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Hetimi ndaj saj sipas burimeve nga prokuroria po kryhet në gjendje të lirë. Burime nga prokuroria bën me dije gjithashtu se ajo nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa ka deklaruar se teza identike e gjetur studentit të saj gjatë provimit, ishte e njëjta dhënë disa kohë më parë në po të njëjtin provim. Deklaratat e pedagoges do të shqyrtohen me provat që prokuroria ka në dispozicion për çështjen. Ky është rast i parë pas miratimit të rregullores dhe statutit të ri të Universitetit "Ismail Qemali të Vlorës, që një pedagoge hiqet nga puna për shkelje të rregullores dhe më tej çohet në prokurori për shpërdorim detyre.
Email This Klikime: 4
Email This Klikime: 4