Shoqatat atdhetare paralajmërojnë tubim kundër arrestimit të 2 të rinjve
Një tubim madhështor në Gjirokastër paralajmërohet se do të bëhet nesër, në mbështetje të dy të rinjve tepelenjotë, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët akuzohen për tubim të paligjshëm në Toc të Tepelenës, nëntë muaj më parë.
"Atdheu dhe flamuri na përket të gjithëve", ka qenë kjo kryethirrja anonime drejtuar qytetarëve gjirokastritë përmes një fletushke, në krye të së cilës qëndronte flamuri shqiptar. Në këtë thirrje ftohen të gjithë shqiptarët të tubohen në sheshin Çerçiz Topulli në Gjirokastër për të protestuar ndaj gjyqit të shtirur ndaj të rinjve, të cilët ngritën flamurin shqiptar dhe kundërshtuan sipas tyre veprimtarinë antishqiptare të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Fletushka është shpërndarë nga aktivistë të shoqatave atdhetare shqiptare. Pothuajse të gjitha automjetet e parkuara në bulevardin e lagjes 18 Shtatori janë pajisur me fletushkën, e cila në raport me herët e tjera, përmbajtja e saj nuk kishte thirrje ekstremiste nacionaliste shqiptare antigreke, por thjesht thirrje për tubim. Ky i fundit është paralajmëruar të mbahet në orën 11:00 të së mërkurës dhe mendohet që në të, të mblidhen banorët e krahinës së Labërisë nga rrethet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Vlorës.
Email This Klikime: 5
Email This Klikime: 5