E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazh në 11 bashki të jugut, qytetarët rezultojnë larg vendimmarrjes

Komunikimi mes qytetarëve dhe drejtuesve lokalë në 11 bashki të jugut të vendit rezulton në nivele jo të mira. Të paktën kështu rezulton sipas një sondazhi të kryer nga qendra "Ndryshimi" me qendër në Vlorë. Sondazhi ka përfshirë bashkitë e Vlorës, Himarës, Orikumit, Gjirokastrës, Sarandës, Fierit, Ballshit, Lushnjës, Beratit, Tepelenës dhe Kuçovës dhe ku rezultoi se qytetarët nuk janë bërë pjesë e vendimmarrjeve, pasi në shumicën e rasteve ata nuk janë të informuar për mbledhjet e këshillave të bashkisë. Rezultati i këtij sondazhi u bë publik gjatë një takimi të zhvilluar dje në qytetin e Fierit, me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive Berat, Lushnjë, Mallakastër, Fier, përfaqësues të rrjetit të shoqërisë civile, OJF etj. "Me anë të këtij sondazhi ne kërkojmë të sensibilizojmë të zgjedhurit vendorë, se sa i kanë mbajtur ata premtimet e zgjedhjeve vendore të vitit 2007, ku gjatë fushatës deklaruan përfshirjen e komunitetit në procesin e vendimmarrjes", bëri të ditur drejtori ekzekutiv i qendrës "Ndryshimi", Robert Murataj. Ndërsa moderatorja dhe koordinatorja e projektit, Julejda Gërxhi, theksoi nga ana e saj se qëllimi i këtij sondazhi nuk është vënia para përgjegjësisë, por vlerësimi i punës së deritanishme të kryebashkiakëve të qyteteve të jugut, ndërgjegjësimi publik i qytetarëve për t'u njohur me realizimin e premtimeve nga të zgjedhurit e tyre, nxitja e qytetarëve për të qenë aktiv në procesin demokratik të vendimmarrjes dhe krijimin e urave të bashkëpunimit midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Kryetarët e bashkive të jugut të vendit dhe pjesëmarrësit në takim, nëpërmjet diskutimeve të tyre dhanë një tablo më të plotë të marrëdhënieve, zgjedhës të zgjedhur, si dhe premtuan për një transparencë dhe bashkëpunim më të mirë.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›