Kroaci, Berisha lobon për centralin bërthamor
Kryeministri Sali Berisha lobon me homologët e vendeve të rajonit për ndërtimin e një centrali të përbashkët bërthamor. Është Kroacia ajo që bashkë me Shqipërinë po negociojnë për projektin gjigand. Centrali bërthamor përfshin gjithë rajonin: Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë. Gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, Kryeministri Berisha u takua dje me Kryeministrin kroat Ivo Sanader me të cilin diskutuan gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në projektin e energjisë nukleare. Kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me Kryeministrin Sanader vendosën të punojnë së bashku edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. “Kroacia, - nënvizoi Kryeministri Berisha, - ka një model shumë të mirë, atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”.
Në takim u diskutua edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që të dyja vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellësit Trans-Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Madje Kryeministri Berisha informoi homologun Sanader se gjatë vizitës që zhvilloi në SHBA, kërkoi ndihmën e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, e cila sipas tij, shprehu interesim për këtë projekt. Por nënshkrimi në Kroaci i katër marrëveshjeve, mes tyre ajo për energjinë, mes Berishës dhe Sanaderit synon intensifikimin e marrëdhënieve pozitive mes dy popujve. “Ne përcaktuam linja të reja të bashkëpunimit në arsim, lëvizjen e lirë dhe turizmin. Por dua të veçoj bisedimet që patëm për çështjen e energjisë. E informova Kryeministrin Sanader mbi ecurinë e bisedimeve të mia për gazsjellësin e TAP-së dhe për rezultatet qartësisht pozitive të tyre. Edhe gjatë vizitës sime në SHBA kërkova ndihmën e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, dhe ajo shfaqi interes për këtë projekt. Me Kryeministrin Sanader vendosëm të lobojmë së bashku për këtë projekt madhor”, - tha z. Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri shqiptar bëri të ditur se sot në Tiranë, do të mblidhet bordi i konsorciumit të TAP-së, ku Kryeministri do t’i informojë ata për bisedimet e bëra dhe për gatishmërinë e Kryeministrit Sanader për të bashkëpunuar në këtë drejtim. “Ky projekt, - theksoi ai, - është më eficienti në aspektin ekonomik dhe më i shkurtri nga projektet e gazsjellësve, nga Deti Kaspik në Perëndim”. Për çështjen e energjisë bërthamore u fol edhe gjatë takimit të djeshëm mes Berishës dhe Presidentit Mesiç i cili konfirmoi se "pala kroate po punon për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, si një urë lidhëse midis Evropës dhe Ballkanit Perëndimor". "Jam i kënaqur që vendet tona po bashkëpunojnë në kuadrin e energjisë nukleare, e cila është më e pastra, por edhe e domosdoshme për të plotësuar nevojat e rajonit tonë për energji dhe për t'i bërë vendet tona të pavarura nga aspekti energjitik", - tha Presidenti Mesiç. Sipas tij, "përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për të realizuar atë". Përveç projekteve të përbashkëta, Kroacia premton se brenda vitit 2009 do të heqë regjimin e vizave me Shqipërinë. Shumë shpejt kjo do të bëhet e mundur përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje mes dy vendeve. Kjo mbështetje iu dha Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimeve që zhvilloi në Kroaci me Presidentin Stipe Mesiç dhe Kryeministrin Ivo Sanader. Gjatë bisedës me homologun kroat, Berisha dhe Sanader, ranë dakord që të punojnë së bashku për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes dy vendeve, brenda vitit 2009, duke shprehur angazhimin e plotë për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha, gjatë konferencës për shtyp, falënderoi kombin kroat dhe qeverinë kroate për mbështetjen që u kanë dhënë aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet.
Kroaci-Shqipëri: NATO, një realitet i afërt
Shqipëria dhe Kroacia kanë objektiva të njëjta për sa i përket anëtarësimit në NATO dhe BE dhe këtë proces e shohin si një realitet të afërt. Gjatë takimit që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi me Presidentin Stipe Mesiç u vu në dukje niveli i lartë i marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe aspiratat integruese të tyre. Të dy personalitetet vlerësuan përpjekjet e mëdha të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kroacisë për t’u bërë pjesë e NATO-s, duke theksuar se tashmë integrimi i plotë në NATO nuk është një ëndërr, por një realitet i afërt i të dyja kombeve. Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se "Shqipëria e sheh me shumë interes anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian". "Kroacia e meriton atë, sepse i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret. Anëtarësimi i Kroacisë është i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit", - tha z. Berisha. Kryeministri tha se të dyja vendet sot kanë një rrugëtim të përbashkët drejt këtij projekti madhor, me një rëndësi historike. “Ky proces, - theksoi Kryeministri Berisha, - vjen si rezultat i mbështetjes së madhe të SHBA-ve, por edhe si fryt i një bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve dhe qeverive”. Në këtë aspekt, Kryeministri vuri në dukje bashkëpunimin në kuadër të Kartës së Adriatikut A3, si një mekanizëm shumë i rëndësishëm që frymëzoi të dyja vendet për të ndërmarrë reformat më të thella që nevojiteshin për të bërë të mundur përmbushjen e standardeve.
Kroaci, Berisha firmos 4 marrëveshje
Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan dje katër marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve: në fushën ekonomike, diplomatike, si dhe mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm. Marrëveshjet u firmosën nga përfaqësuesit përkatës të delegacioneve të dy vendeve, gjatë vizitës dyditore të Kryeministrit Sali Berisha në Kroaci.
1 - Protokolli shtesë mbi amendimin e marrëveshjes për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve, nënshkruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli dhe nga z. Damir Polancec, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë
2 - Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë mbi amendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, nënshkruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë, z. Damir Polancec.
3 - Marrëveshja për punësimin e anëtarëve të familjes së anëtarëve të Trupit Diplomatik dhe posteve konsullore, e nënshkruar nga z. Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare dhe nga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, znj. Bianka Matkoviç
4 - Protokolli midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm, nënshkruar nga Ivica Buconjic, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme kroate dhe z. Pëllumb Qazimi, ambasadori i Shqipërisë në Kroaci.
Berisha, Bebiç: Bashkë me Kroacinë edhe në BE
Kroacia shprehu dje gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë përvojën e aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE, kjo si në nivelin qeveritar, ashtu edhe në nivelin parlamentar. Kryeministri Berisha gjatë vizitës zyrtare në Kroaci u prit nga kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç. Kryetari i Parlamentit të Kroacisë u shpreh i impresionuar dhe tha se ndiente admirim nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këto katër vite, të cilin ai e kishte konstatuar gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë. Z. Bebiç shprehu kënaqësinë që projekti i përbashkët i Kroacisë dhe Shqipërisë, integrimi në NATO, po përmbyllet me sukses. Gjithashtu, biseda u ndal dhe në projektet e përbashkëta të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, ku z. Bebiç u shpreh se ishte një gjë e mirë bashkimi i ideve për projektet energjitike në të dyja vendet, veçanërisht në dy projektet madhore që ishte energjia nukleare dhe autostrada Trans-Adriatike. Kryetari i Parlamentit të Kroacisë vuri theksin në një pasuri të madhe që lidh të dyja vendet, që është Deti Adriatik, pasuri për të cilën të dyja vendet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur resurset e tij. Z. Bebiç theksoi se Kroacia ka bërë hapa përpara me projektin e autostradës Trans-Adriatike. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi z. Bebiç për mikpritjen dhe u shpreh se ndihej i nderuar që ndodhej i ftuar në Parlamentin e Kroacisë, një vend mik në shekuj, i cili u ka dhënë një ndihmesë të shquar shqiptarëve në projektet e tyre për liri dhe dinjitet.
“Aktualisht, dy vendet tona, - theksoi Kryeministri, - kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat po kulmojnë me integrimin në NATO. Ky akt e bën të ardhmen e të dy vendeve tona në liri më të sigurt”. Kryeministri Berisha u shpreh se e shihte me interes integrimin e Kroacisë në BE, jo vetëm për vetë Kroacinë, por për të gjithë rajonin. “Kroacia, - theksoi Kryeministri, - i plotëson kushtet për të qenë vend anëtar i BE-së, duke qenë unë dëshmitar i sakrificave që kombi juaj ka bërë për liri dhe zhvillim”. Kryeministri falënderoi kryetarin e Parlamentit të Kroacisë për gatishmërinë për të ofruar përvojën e Kroacisë për aplikimin për statusin e kandidatit në BE si dhe u shpreh se Shqipëria mirëpret projektet për mbrojtjen e Adriatikut si një pasuri e përbashkët e të dyja vendeve.