E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet shkarkimi i Maks Shimanit nga KQZ

21/10/2004  Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje ndryshimet në Kodin Elektoral në lidhje me shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe për procesin e regjistrimit të votuesve. Sipas këtij vendimi, për zgjedhësit do të ketë dy regjistra. Regjistri i përkohshëm do të jetë për të gjithë të shpërngulurit në zonat informale, të cilët nuk e kanë bërë transferimin e dokumenteve, por që duan të votojnë aty ku jetojnë. Ky regjistër do të shërbejë vetëm deri në përfundim të votimeve. Ndërsa regjistri themeltar do të jetë në kuadër të zhvillimeve normale. Sipas vendimit të Kuvendit deri në fund të muajit shkurt, duhet të përfundojë procesi i regjistrimit të popullsisë. Debatet janë përqendruar më shumë në ndryshimin për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. PDr dhe LSI e kanë cilësuar këtë një vendim antikushtetues. Gjithsesi në votim ka rezultuar se vetëm 15 vota kanë qenë kundër dhe 3 abstenime. Kështu Cako, Bilani dhe Preka kanë qenë abstenim. Votat kundër janë Apostoli, Balla, Dedja, Karamelo, Begeja, Fejzollari, Kollçaku, Prifti, Rroqi, Legisi, Metko, Ndoka, Ndokaj, Curri dhe Bërzani. Të dy vendimet do të hyjnë në fuqi menjëherë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës. Pas këtij veprimi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të miratojë një emër të ri për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa Maksim Shimani, i cili detyrohet të lërë postin, ka bërë të ditur se do të ankimohet në të gjitha institucionet ligjore. Në këtë mënyrë, ai ka theksuar se shkarkimi i tij është i padrejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›