E Diel, 1 Nëntor 2026

PS e ndarë për dorëheqjen e Poçit

21/10/2004  Dorëheqjen e ministrit të Transporteve, Spartak Poçi, e ka kundërshtuar kolegu i tij, Marko Bello. Sipas ministrit të Shtetit, "Poçi ka marrë mandatin nga parlamenti dhe kështu nuk varet nga askush heqja apo ikja nga posti". Të njëjtën gjë ka mbështetur dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, për të cilin nuk duket e argumentuar që një ministër të propozohet për t'u shkarkuar vetëm se mungojnë sinjalizimet rrugore. Sipas tij, "mbrapa këtij propozimi ka një prapavijë tjetër dhe arsye të tjera, që unë nuk i di". Për Milon, kërkesa për largimin e Poçit ka "synim për të përgatitur terrenin për ndryshime të pjesshme, sikurse janë deklaruar edhe nga përfaqësues të lartë të PS-së". Ndërkohë që numri dy i selisë socialiste, Gramoz Ruçi, nuk ka dashur të komentojë kërkesën e deputetit Braçe. Sipas tij, "këto janë probleme të familjes socialiste". Deputeti socialist Gjergj Koja ka mbështetur kërkesën për dorëheqje të ministrit Poçi. Ai tha që "problemi është se disa nga ministrat duan të sillen si njerëz politikë, sepse nuk mund të heqin përgjegjësinë nga vetja që, në fund të fundit, e ka çdo person politik". Për Flamur Rrogun, çdo gjë do të vendoset nga mbledhja e Grupit të PS-së, "çdo vendim do të jetë në funksion të administrimit të qeverisjes". Ndërsa Lekë Çukaj tha se kërkesa është e pakuptimtë. Megjithatë pritet që në mbledhjen e Kryesisë dorëheqja e Poçit të kërkohet zyrtarisht, ndërsa priten dhe analizat në Qeveri. Pas Kryesisë do të merret dhe vendimi për ndryshimet nominale në Qeveri dhe tek anëtarët e Kryesisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›