Miratohet skema për zvogëlimin nga 33 në 12 inspektorate në vend
Kryeministri mbledh Task Force-n për reformën në sistemin e inspektorateve
Kryeministri Sali Berisha drejtoi takimin e Task Force-s për reformën e inspektorateve, e cila, në përmbyllje të një periudhe diskutimesh e analizash, arriti në përfundimin për thjeshtimin e sistemit të inspektorateve në vend nga 33 aktualisht, në 12 dhe riorganizimin e brendshëm të tyre.
Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar reformën e sistemit të inspektorateve të një rëndësie themelore, shprehu bindjen se modeli i përzgjedhur do të jetë një model suksesi.
“Ne, tha Kryeministri, duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet.”
Kryeministri Berisha konsideroi se një dimension i rëndësishëm i kësaj reforme, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, është vendosja e sistemit të e-inspektorat.
“Vetëm duke vendosur këtë sistem, tha Kryeministri, ne do të imponojmë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve tona.”
Kryeministri kërkoi që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor.