Synimi, mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet
Shefi i Ekzekutivit drejton mbledhja e parë të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua dje, mbledhja e parë e Komitetit të zhvillimit të rajoneve, ku merrnin pjesë përfaqësues dhe drejtues të qeverive vendore, si dhe ministra të kabinetit.
Kryeministri u shpreh se krijimi i këtij Komiteti bën të mundur së pari, identifikimin e të gjithë problematikës së qarqeve të vendit, problematikë e cila do të paraqitet në këtë komitet, pas diskutimeve të gjera me të gjithë përbërësit e një qarku, drejtuesit e bashkive dhe komunave, qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile.
Berisha theksoi se krijimi i Komitetit të Zhvillimit të rajoneve synon një mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet, koordinimin e projekteve midis qarqeve dhe balancimin e shpërndarjes së projekteve dhe financimeve nëpër këto qarqe. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qëllimi kryesor është mundësimi i zhvillimit të potencialeve në të gjithë territorin e vendit. “Me Komitetin e Zhvillimit të rajoneve ne synojmë të ndërmarrim politika më të balancuara.”
Duke theksuar se qeveritë vendore janë përgjegjëse direkt për zhvillimin e rajonit të tyre, Kryeministri u shpreh se nuk duhet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë që ky Komitet t’i lejojë vetes të marrë kompetencat e qeverive vendore. “Qeveria qendrore do t’i mbështesë ato”, tha Kryeministri.