Të ndërpriten punimet, s’kanë bazën e duhur ligjore

Reagojnë banorët autoktonë të Tiranës, për sheshin “Skënderbej”
Punimet e nisura nga bashkia e Tiranës për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” duhet të ndërpriten. Ky ka qenë emëruesi i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile, arkitektëve dhe aktorë të tjerë që kanë lidhje me zhvillimin urban të kryeqytetit. Komentet u bënë gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata “Tirana”, kryetari i së cilës shprehu shqetësim për mosmarrjen e mendimeve nga qytetarët e Tiranës për këtë shesh.
“Shoqata “Tirana”, përfaqësuese kryesore e banorëve të qytetit dhe epiqendra e shoqërisë civile, ku flitet për fatet e kryeqytetit, ka qenë e përjashtuar nga ky debat. Ne duam që vendimet që përfshijnë këtë qytet të jenë legjitime, pa mbështetjen publike asnjë vendim nuk do të jetë i tillë”, u shpreh kreu i shoqatës “Tirana”.
I ftuar në këtë takim ishte edhe Prefekti i Tiranës Keltis Kruja, i cili e konsideron si ngërç ligjor nisjen e punimeve në shesh nga ana e bashkisë.
“Kemi një plan urbanistik ku një pjesë e këtij plani janë edhe punimet që po bëhen në sheshin “Skënderbej”, nuk ka përmbushur të gjithë rrugën e tij ligjore. Nuk ka kaluar në KRRTRSH, d.m.th ky plan i zbatueshëm aktualisht, të ndërpritet, të diskutohet teknikisht dhe ligjërisht në të gjitha instancat e nevojshme”, u deklaroi Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja.
Projekti rregullues i qendrës së Tiranës është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan ndërprerjen urgjente të punimeve.
Projekti i rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” është kundërshtuar edhe nga ekspertë të arkitekturës. Ministria e Mjedisit vendosi pezullimin e punimeve dhe gjobiti bashkinë se nuk kishte leje mjedisore për projektin. Por pavarësisht këtyre fakteve, bashkia vijon me punimet në shesh, madje kryetari i saj shpalli edhe fazën e dytë të tyre.