E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtim me “Prolog Giffoni”

19/05/2010 Nga data 15-30 maj, filmat më të mirë të dy viteve të fundit projektohen në Sarandë, Vlorë, Pogradec, Durrës, Lezhë

Namik Ajazi: Qytetet turistike vuajnë mungesën e kinemasë

Është çelur prej disa ditësh për të dytin vit “Giffoni FilmFestival Albania”. Në disa nga qytete kryesore turistike po prezantohen që prej 15 majit, filmat më të mirë ndërkombëtarë, prodhimet e dy viteve të fundit për të rinj përmes formatit “Prolog Giffoni”. Ashtu si dy vite më parë, në 2008-ën ishte zgjedhur qyteti turistik i Sarandës për të çelur siparin e këtij formati, përmes të cilit filmi “shkon” të kërkojë e të takojë publikun e tij të vogël atje ku jeton. “Elina” ka qenë filmi i parë i projektuar për jurinë “Generation +12), i cili është ndjekur nga projeksione të tjera edhe për jurinë “Generation +15”. Në parapritje të projektimit të filmit në ekranin e madh, ata kanë shprehur para mikrofonit shëtitës në sallë dashurinë për kinemanë dhe dëshpërimin që një e tillë u mungon gjatë dimrit në Sarandë, si dhe preferencat e tyre për filmat më të pëlqyer. Pas çdo projeksioni fëmijët bëhen protagonistë të vërtetë të një bashkëbisedimi, që këtë vit moderohet nga Turjan Hyska dhe grupi i tij “Produkt 28”, të cilët do të japin edhe koncerte në qytetet ku do të ndalet “Prolog Giffoni”. “Prolog Giffoni” synon sensibilizimin e këtij formati për fëmijë dhe të rinj në disa nga qytetet kryesore që kanë potenciale turistike si Saranda, Vlora, Durrësi, Pogradeci dhe Lezha, për t’u mbyllur në një finale të madhe në Tiranë, më 30 maj. “Përmes këtij formati, ne duam të vëmë edhe njëherë theksin në mungesën e filmit për këto kategori dhe të shprehim shqetësimin e mungesës së kinemave në këto qytete. Në të gjitha vendet ku ne do të ndalemi, përveç Pogradecit që ka një kinema modeste, asnjë nga qytetet e tjera, edhe pse kanë një potencial të madh turistik, nuk kanë kinema. Kjo bën që këta të rinj të humbasin kontaktin me ekranin e madh dhe si pasojë edhe në kryeqytet ku ka 2-3 kinema shikueshmëria është e ulët duke pasur parasysh konkurrentët që fillojnë që nga videotekat, interneti, televizioni, etj. Ne duam të kthejmë magjinë e filmit në ekranin e madh. Nëse do t’ia arrijmë qëllimit, do të thotë se pas disa vitesh do të kemi përsëri kthimin në traditën e bukur të shkuarjes në kinema për të parë filmin”, shprehet presidenti i festivalit, Namik Ajazi. Programi i këtij formati shëtitës, përfshin filmat më të mirë të dy viteve të fundit. Janë kryesisht tema të ndjeshme që kanë të bëjnë me dy kategoritë e jurisë “Generation +12” dhe “Generation +15”. Fëmijët dhe të rinjtë e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Pogradecit dhe Lezhës do të kenë mundësi të shohin filmat më të mirë të prodhuar nga vende si Amerika, Danimarka, Norvegjia, Suedia, etj. “Prolog Giffoni” është bërë këtë vit pjesë e aktiviteteve “Shqipëri-Itali 2010: një det, dy popuj, një miqësi”, sepse ky festival i lindur pikërisht në Itali, vjen si një dialogim për të fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë me mbështetjen e themeluesit të “Giffoni FilmFestival”, Claudio Gubitosi. “Është mbështetja e Claudio Gubitosit, i cili nganjëherë nisur nga vështirësitë e shumta që ne hasim për organizimin e “Giffoni Shqipëria”, që nga ato ekonomike dhe ato organizative sepse deri më tani ndjeshmëria është relativisht e ulët, që na shtyn ta çojmë këtë format gjithkund”, shprehet Ajazi. “Prologg Giffoni”, që i paraprin edicionit të gjashtë të festivalit, do të ndalet tri ditë në çdo qytet, për t’u finalizuar në Tiranë, me një koncert të madh festiv që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” me grupin “Produkt 28” dhe këngëtarë të tjerë. Dje, për fëmijët janë shfaqur filmat “Ngatërrestarja e vogël” (Generation +12) dhe “Misa, Mikja e ujqërve” (Generation +12).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›