E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: 420 objekte të reja në mes të Tiranës të pahipotekuara

Edhe pse komisioni hetimor Rama 2, ka nisur punimet e tij një ditë pasi mori miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë, demokratët nga ana e tyre vijojnë të shfaqin fakte, të cilat akuzojnë kryebashkiakun Rama. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka vijuar akuzat e tij ndaj kryebashkiakut Rama për modelin e tij të qeverisjes, nëpërmjet të cilit ka krijuar informalitet në Tiranë. Këtë radhë kritika e tij është ndaluar tek objektet e reja në mes të Tiranës, të cilat janë të pahipotekuara. Sipas tij ekzistojnë rreth 420 objekte të tilla, familjarët që kanë blerë apartamente në këto pallate, edhe pse kanë lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia nuk kanë hipotekuar pronën e saj. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje, informale në periferi të qytetit, por për objekte të reja në mes të Tiranës, tha Bumçi. Lidhur me këto fakte, ai ka shtuar se këtu bëhet fjalë për mbi 16 mijë familje. Kjo gjendje tërësisht e papranueshme, që dëmton interesat e drejta të mijëra familjeve në kryeqytet, që nuk arrijnë të hipotekojnë apartamentin e tyre edhe pse e kanë blerë shumë shtrenjtë, ka ardhur pasi Bashkia nuk pajis me leje shfrytëzimi pallatet, në të cilat ndërtuesit kishin shkelur lejen e marrë, duke ndërtuar p.sh. një kat më shumë. Në mungesë të lejes së shfrytëzimit asnjë apartament nuk mund të hipotekohej, tha zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së. Sipas tij, ajo që duhej të ishte një politikë ndëshkuese për firmën ndërtuese që të korrigjonte gabimin, u kthye në një masë ndëshkuese për qytetarët e thjeshtë. Kjo, sipas Bumçit, ka ardhur si pasojë sepse e njëjta firmë ndërtuese, edhe pse nuk bëri asgjë të korrigjonte projektin e parë, mori lejen e dytë, të tretë dhe kështu me radhë nga Bashkia. Në këtë mënyrë, sipas tij, ndërtuesit nuk ndëshkoheshin, sepse vazhdonin të merrnin leje, Bashkia ishte e kënaqur bashkë me ndërtuesit, ndërsa kush penalizohej ishin mijëra familje në kryeqytet, të cilat nuk mund ta përdornin pronën e tyre as për të marrë kredi dhe as për ta shitur më tej. Duket qartë se për Kryetarin e Bashkisë kishin rëndësi ndërtuesit dhe jo qytetarët e thjeshtë, nënvizoi Bumçi, duke shtuar se ky është modeli Rama i qeverisjes. Sipas tij, Rama jo vetëm nxiti informalitetin, por edhe u bë pengesë serioze për zgjidhjen e këtij problemi pas miratimit të ligjit për legalizimet. Për afro 3 vjet i bllokoi ato, duke shtyrë vit pas viti hipotekimin e tyre. Lidhur me këtë fakt, ai sqaron se Agjencia e Legalizimeve nisur nga ky realitet, arriti të bënte azhornimin dhe  dixhitalizimin e këtyre objekteve në territorin e Tiranës dhe të hartojë të gjithë paketën fiskale, penalitetet që duhet të paguhen nga ndërtuesit, ku sot 160 pallate janë pajisur me lejen e legalizimit dhe janë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme për t'u hipotekuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›