"Mirdita Vlorë!", rikthehet Agim Sulaj
"Mbaj mend ditën kur u largova nga Vlora, ndryshkun e tragetit dhe detin e errët, matanë Sazanit. Shtrëngoja në dorë një valixhe të vjetër samsonite, dhe në xhep një laps si hajmali. Tani kthehem me një ekspozitë në qytetin ku më njohin dhe gurët. Mirdita Vlorë!". Ky është artisti vlonjat, Agim Sulaj, i cili kthehet në Shqipëri me dy ekspozita, njëra do të çelet në Vlorë e tjetra në Tiranë. Në Vlorën e dashur, qytetin e lindjes së piktorit dhe karikaturistit, ekspozita do të çelet më 21 shtator në sallën e teatrit "Petro Marko". Kjo ekspozitë personale, paraqet 28 piktura në vaj, që u referohen mbresave nga atdheu. Veprat i përkasin stilit tashmë të njohur të Sulajt, realist dhe hiper-realist. Ndërkaq, do të ekspozohen edhe 30 karikatura, një pjesë e mirë e tyre të reja. Artisti ka menduar që të ekspozojë edhe çmimet e vlerësimet kryesore të fituara gjatë këtij viti shoqëruar me medaljet, diplomat, titujt etj., të cilat kanë ardhur si vlerësim për arritjet e artistit vlonjat. Ato vijnë nga vende të ndryshme të botës si: Rusia, Belgjika, Kina, Portugalia, Spanja, Hungaria, Irani, Siria, Bullgaria, Italia, Amerika, Turqia etj. Sulaj nuk i fsheh dot emocionet e ekspozitës personale që do të çelet në Vlorë, pasi për herë të fundit, ai ka ekspozuar në qytetin e tij në vitin 1986, në ish-galerinë e vjetër të qytetit. Pritet ndërkaq që një pjesë e kësaj ekspozite të shkojë më pas në Portugali ku në fillim të muajit nëntor Agim Sulaj do të jetë i ftuari i nderit në një ekspozitë ndërkombëtare të fumetit e karikaturës, e ku pritet të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar "Amadora 2009".