E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurs antikuarësh për të promovuar vlerat

Në prag të çeljes së Festivalit Folklorik Kombëtar 2009, më 24 shtator, Organizata për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike ka shpallur një konkurs publik për antikuarin me të veçantë që mund të zotërojnë familjet tradicionale gjirokastrite. Kjo iniciativë sa origjinale, aq edhe e veçantë, e ndërmarrë së fundi në qytetin e Gjirokastrës, synon të promovojë vlerat dhe objektet e veçanta të trashëgimisë kulturore që mbartin në breza familjet gjirokastrite. Konkursi është në fazën e grumbullimit dhe seleksionimit të materialeve ndërsa është vënë re se shumë familje gjirokastrite zotërojnë objekte apo antikuarë me vlera të rralla historike dhe artistike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Këto objekte janë kryesisht punime tradicionale në gur të skalitur, gdhendje druri, punime artistike në hekur, tekstil tradicional, fotografi të vjetra etj. Shpallja e këtij konkursi synon të identifikojë pjesën më të madhe të këtyre antikuarëve që mbartin familjet gjirokastrite, duke publikuar për opinionin e gjerë vlerat e tyre historike dhe estetike. Pas seleksionimit, antikuarët do të vlerësohen nga një juri e veçantë, e përberë nga specialistë të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që shpallja e antikuarit fitues do të bëhet në ditën e çeljes së Festivalit Folklorik Kombëtar. Antikuari që do të cilësohet si më i veçanti do të ekspozohet në muzeun "Kronikë në gur", i cili do të çelë së shpejti dyert në Kalanë e Gjirokastrës. Vitet ‘20-‘40 të shek XX njohin në qytetin e Gjirokastrës fillimin e lulëzimit të tregtisë, veçanërisht me Italinë, çka solli jo vetëm përmirësimin e gjendjes ekonomike të mjaft familjeve gjirokastrite, por dhe ndikoi drejtpërdrejt që familjet e pasura të qytetit t‘i përshtatnin banesat e tyre me stilin e arkitekturës moderne të atyre viteve. Gjatë kësaj periudhe, shumë tregtarë gjirokastritë filluan të koleksionojnë antikuarë me vlera të rralla, por deri tani këto vlera ende nuk janë publikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›