E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekrutimi ; Arrestohet specialisti, kërkonte 1 milion lekë për rekrutët

Një milion lekë të vjetra në dorë dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak quhet i mbaruar pa u paraqitur qoftë edhe një ditë në repart. Një gjë e tillë sigurohej mjaft mirë nga një specialist në zyrën e rekrutimit e mobilizimit në Repartin Ushtarak Kavajë, i cili përmes ryshfeteve të majme bënte të mundur falsifikimin e dokumentacionit për rekrutët e rinj. Xhami Xeka, 48 vjeç nga Kavaja, është arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Rekrutimi”, pasi në sajë të hetimeve të imtësishme të Drejtorisë së Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, janë dokumentuar provat ndaj Xekës. Arrestimi i tij është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Klodian Branko, sipas të cilit, ndaj Xekës Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar ndalimin për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të dokumenteve e të shpërdorimit të detyrës.

Sipas policisë, nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se specialisti i Degës së Mobilizimit në Kavajë ka lëshuar vërtetime të rreme për persona të ndryshëm, për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej tyre. Ndërkohë që për një gjë të tillë, Xeka u kërkonte të interesuarve shumën prej 100 mijë lekësh të reja.

Disa raste të dokumentuara për të rinj, që pas verifikimeve rezultonin se në të vërtetë asnjë prej tyre nuk e kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe policia do të fillonte hetimet për gjetjen e autorit të allishverisheve. Nga burime të policisë, mësohet se ka qenë dyshimi i specialistëve të Drejtorisë së Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, të cilët kanë rënë në gjurmët e Xhami Xekës, personit përgjegjës që u lëshonte dokumente të falsifikuara se të rinjtë kinse e kishin kryer ushtrinë. Por, kontrolli ndaj tyre dhe verifikimet në repartet gjoja të deklaruara do të rezultonin të rreme.

Për këtë arsye, kontrolli do të vijonte më tej në zyrën e specialistit të rekrutimit e mobilizimit në Repartin Ushtarak Kavajë, 48-vjeçarit Xeka. Jo vetëm që shkeljet e zbuluara, por më pas edhe dëshmitë e siguruara nga hetimi se për këtë punë, ushtaraku kërkonte plot 1 milion lekë, kanë bërë që Prokuroria të lëshonte menjëherë urdhër-arrestin. Ndërkohë, mësohet se grupi i hetimit vazhdon punën për të zbardhur raste të tjera ku janë lëshuar vërtetime fiktive.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›