Spektakolare ; Grabit me armë 3 milionë lekë tek Reiffeisen, kapet autori
Grabitje spektakolare në një nga filialet e Reiffeisen Bank në kryeqytet, kur një person i maskuar ka terrorizuar punonjëset me pistoletë dhe më pas është larguar duke grabitur prej andej plot 3 milionë lekë të vjetra. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13.50 në sheshin “Rilindja”, ndryshe i njohur si Zogu i Zi në kryeqytet, kur autori ka kërcënuar me pistoletë punonjësen e arkës në bankë duke e detyruar këtë të fundit që t’i jepte lekët. Më pas, autori është larguar me shpejtësi në mes pallateve të zonës, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje vetëm pas 5 minutash nga momenti që është lajmëruar nga sinjali i bankës. Pas një pune të shpejtë hetimore, punonjësit e komisariatit Nr. 3 në Tiranë në bashkëpunim edhe me Seksionin kundër Vjedhjeve, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të grabitjes.
Bëhet fjalë për Sulejman Bakallin, rreth të 25-ave, i cili është ndaluar në kushtet e flagrancës pas operacionit të policisë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë kreu i komisariatit Nr. 3, Marjan Laca, i cili ka thënë gjithashtu se autorit i është sekuestruar edhe sasia e parave të vjedhura me dhunë në filialin e bankës Reiffeisen.
Është futur me shpejtësi në ambientet e bankës, por që më pas ka nxjerrë pistoletën dhe ka kërcënuar që arkëtarja t’i jepte të gjitha paratë që ndodheshin aty. Sulejman Bakalli ka kryer i vetëm grabitjen e 300 mijë lekëve të reja në Reiffeisen Bank tek Zogu i Zi në kryeqytet, por që nuk ka mundur t’i shpëtojë rrethimit të policisë.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 13.50 të ditës së djeshme, kur shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, morën njoftim se në sheshin “Rilindja” është vjedhur një nga filialet e Raiffeisen Bank. Menjëherë, në vendin e ngjarjes shkuan specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë, për të bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorëve, si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Paraprakisht, policia do të deklaronte se dyshohet që autori është i seksit mashkull, rreth moshës 20 deri 25 vjeç, i cili në momentin që ka hyrë në ambientet e bankës, ka kërcënuar nëpërmjet pistoletës punonjësen e arkës, duke e detyruar këtë të fundit për të marrë shumën e parave që ndodheshin në arkë (shumë e cila dyshohet të jetë rreth 300 000 lekë).
Nga të dhëna policore është mësuar se kjo e fundit ka bashkëpunuar edhe me punonjësit e bankës për të arritur sa më shpejt në identikitin e autorit të dyshuar.
Përgjigja duket se ka ardhur shumë shpejt, kur punonjësit e Reiffeisen-it u kanë treguar inspektorëve të policisë se pasi kishte dalë nga banka, autori ishte laruar me shpejtësi mes pallateve prapa bankës. Për këtë arsye, gjithë zona është rrethuar nga policia dhe kontrollet e imtësishme në disa banesa kanë zbuluar edhe autorin. Sulejman Bakalli është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërkohë që policia ka thënë se ka sekuestruar edhe sasinë e parave të grabitura.
Raiffeisen
Autori u zhduk mes pallateve
Autori i grabitjes është zhdukur mes pallateve pas marrjes së parave, ndërsa policia ka mbërritur në vend 5 minuta pas lajmërimit tonë. Menjëherë pas ngjarjes në filialin e Reiffeisen Bank në kryeqytet, Drejtoresha për Marrëdhëniet me Publikun, Vilma Baçe është shprehur përmes një deklarate për shtyp se në degën e Zogut të Zi ka hyrë një njëri i maskuar dhe me armë i cili duke kërcënuar një arkëtar ka mundur të rrëmbejë paratë e gjendura në banak. Sipas Baçes, fatmirësisht, asnjë nga klientët apo stafi i degës së bankës nuk është plagosur apo dëmtuar, por ata janë në gjendje shoku. Sakaq, Baçe ka thënë se forcat e policisë kanë arritur në degën e Zogut të Zi rreth 5 minuta pasi stafi ka shtypur butonin e alarmit, por fatkeqësisht autori është zhdukur mes pallateve. Sipas saj, dega e Zogut të Zi është e pajisur me të gjitha sistemet mbrojtëse ashtu si të gjitha degët e tjera në vend. Raiffeisen Bank merr të gjitha masat që këto sisteme të jenë funksionale dhe në gatishmëri të plotë. Ndërkohë, Rober Wright, Drejtor i Retail në Raiffeisen Bank, është shprehur se “prioriteti ynë i parë është pa dyshim siguria e stafit dhe ne jemi të kënaqur që ata kanë vepruar sipas politikës sonë të sigurimit”.