PS kundër taksave për pronat
Aristir Lumezi
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se me udhëzimet që ka nxjerrë po shkel kushtetutën. Nënsekretari socialist për programin, Ilir Beqja, duke iu referuar udhëzimit të datës 26 shkurt të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”
shprehet se përmes tij ministrat i japin kompetenca antikushtetuese vetes të caktojnë dhe çmimin e pronës që qytetarët shesin. “Në datën 26 shkurt 2009, përsëri Ministri i Financave, kësaj radhe bashkë me Ministrin e Drejtësisë, miratojnë Udhëzimin nr. 21 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.9, datë 26.02.2008 ‘për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme’. Sipas tij, me këtë udhëzim, dy ministrat në mënyrë antikushtetuese përcaktojnë çmimet me të cilat shqiptarët duhet të shesin e të blejnë patundshmëritë. Kushtetuta përcakton se Shqipëria është vend me ekonomi të tregut të lirë. “Antikushtetuese është edhe përcaktimi i masës së taksës me udhëzim ministrash, kur është Kushtetuta që përcakton se taksat caktohen me ligj. Në mënyrë po të paligjshme, dy ministrat nuk i lënë kohë për t’u njohur subjekteve tatimpaguese, sepse udhëzimi hyn në fuqi të nesërmen e firmosjes nga ministrat e Sali Berishës”, tha Beqja. Nënsekretari socialist tha dje se në mënyrë të përsëritur qeveria po kërkon zbatim të udhëzimeve të saj në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare. “Udhëzimet e fundit të administrimit tatimor konfirmojnë shqetësimet e përsëritura të Partisë Socialiste se qeveria e paaftë e Sali Berishës nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur një nga parimet themelore të administrimit fiskal – atë të parashikueshmërisë”, tha Beqja.
Duke iu referuar njërit prej udhëzimeve të fundit të qeverisë, “Për formatin e formularit dhe deklarimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël”, i cili kërkohet të hyjë në fuqi të nesërmen e miratimit të tij, nënsekretari socialist dënoi arbitraritetin që i bëhet biznesit për të paguar menjëherë detyrimin që vijon sipas këtij udhëzimi. “Në datën 19 shkurt 2009, Ministri i Financave miraton Udhëzimin nr.17 “Për formatin e formularit dhe deklarimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël”. Ky udhëzim, sipas tij, hyn në fuqi të nesërmen, në datën 20 shkurt, duke mos i lënë kohë subjekteve të interesuara të njihen me përmbajtjen dhe të përgatiten për zbatimin e tij. “Udhëzimi është në zbatim të një ligji të miratuar që në maj 2008. Stafit të Ministrisë së Financave iu deshën 9 muaj për të bërë gati udhëzimin, ndërsa tatimpaguesve nuk u lihet asnjë ditë për t’u njohur me udhëzimin”, tha Beqja.