E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, grabiten paratë e pensionistëve

 

MIRDITE - Maskat grabisin një pjesë të parave të pensionistëve të komunës Perlat në Mirditë. Burime të policisë bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të së mërkurës, kur dy persona të maskuar i kanë zënë pritë arkëtarit të postës së Rrëshenit, K.Duka duke i marrë atij një pjesë të parave. Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale mes fshatrave Prosek dhe Përlat, kur personat e maskuar dhe me kallashë i kishin zënë atij pritë, duke i vendosur gurë në rrugë. Teksa arkëtari ka ndaluar mjetin për t'i hequr ato, personat nën kërcënimin e armës e kanë detyruar Dukën të devijonte rrugën. Pasi kanë lënë rrugën nacionale, dy të rinjtë sipas deponimeve të Dukës në polici, e kanë detyruar atë të dorëzonte paratë të destinuara për t'iu shpërndarë pensionistëve të Perlatit. Mësohet se 48-vjeçari u ka dhënë 30 mijë lekë dy grabitësve, të cilët e kanë kontrolluar imtësisht në xhepat e tij, për t'i marrë të gjithë sasinë e parave. Por arkëtari fatmirësisht i kishte fshehur paratë poshtë sediljes së mjetit me të cilin po udhëtonte i vetëm me shumën e 5 milionë lekëve të vjetra. Pasi i kanë marrë paratë dhe celularin, grabitësit janë larguar. Disa kalimtarë të rastit e kanë ndihmuar më pas Dukën të sinjalizonte policinë. Kjo e fundit mbërriti në vend dhe pas veprimeve të para ka arritur të identifikojë e shpallë në kërkim autorët e ngjarjes. Policia po heton edhe faktin se pse është lënë 48-vjeçari që të transportojë lekët i vetëm, kur dihet që në raste të tilla gjithnjë arkëtarët shoqërohen ose me roje private ose me punonjës të policisë së rendit. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›