Nën hetim gjyshi,lidhi nipin me zinxhirë
FIER/ VLORE-Policia e Fierit "bën detyrën", duke çuar për ndjekje penale me akuzën e "heqjes së paligjshme të lirisë" gjyshin që mbajti për 3 vite nipin e tij të lidhur me zinxhirë. Skandali i zbuluar disa ditë më parë nga mediat në Levan, duket se ka zgjuar interesin e uniformave blu, të cilët nuk kishin arritur ta evidentonin vetë këtë rast flagrant të shkeljes së të drejtave të njeriut. Kamber Rashu nga Levani i Fierit do të ndiqet në gjendje të lirë me akuzën e mësipërme, pasi ai lidhi me zinxhirë Fatmir Rashun, duke menduar se përbënte rrezikshmëri për familjen dhe shoqërinë. Rasti "Rashu" tashmë ka mbërritur edhe në zyrat e Avokatit të Popullit, denoncuar nga drejtoria e spitalit Psikiatrik të Vlorës. Tashmë i mbetet Prokurorisë së Fierit të vendosë për të moshuarin, veprimet e të cilit kanë shokuar mbarë opinionin. Policia, pas publikimit të skandalit në media shkoi në Levan, në banesën e familjes Rashu, ku kanë konstatuar se ata kishin lidhur me zinxhirë, me urdhër të kryefamiljarit Kamber Rashu, djalin 26-vjeçar. "Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar në media për djalin e lidhur me zinxhir nga fshati Levan i Fierit, policia ka verifikuar informacionin dhe ka konstatuar se në një kasolle mbahej i lidhur shtetasi Fatmir Rashu, i sëmurë mendor. Në këtë mënyrë kishte vendosur për të gjyshi i tij, Kamber Rashu. Lidhja me zinxhirë e tij ka ardhur për arsye se ai është i sëmurë mendor dhe shumë agresiv", u shpreh dje zyrtarisht policia e Fierit. Ata përgatitën materialet e dokumentuara në ngarkim të gjyshit të të sëmurit, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë. Masat e marra nga ana e policisë erdhën pas publikimit të lajmit në media, ndërsa më parë rezulton që ky informacion ka qenë i panjohur për ta. Ndërkohë, drejtoresha e Spitalit Psikiatrik në Vlorë, Antoneta Aga, deklaroi ditën kur i riu u çua në këtë ambient se djali nuk ka sjellje agresive, çka pritet të sjellë edhe debate institucionale. Drejtoresha Aga u shpreh dje se të riut i janë dhënë thjesht qetësues dhe vitamina. "Ai ka pasur nevojë për higjienë, ushqim dhe përkujdesje nga të afërmit e tij dhe jo ta lidhnin me zinxhirë, duke i privuar të drejtat e tij. Ne sot (dje) kemi bërë edhe një denoncim në institucionin e Avokatit të Popullit ndaj familjarëve të Fatmir Rashës, për keqtrajtim të 26-vjeçarit duke i privuar të drejtat dhe lirit e tij, pasi ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë dhune. m.r/q.b