PS: Qeveria të japë fonde për komunat e bllokuara
Tiranë- Partia Socialiste ka kërkuar sot nga qeveria akordim fondesh për komunat që janë të bllokuara nga bora. Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi ka theksuar se për këto zona duhet vënë në dispozicion një fond i posaçëm për zhbllokimin e rrugëve, për ilace për qendrat shëndetësore si dhe të sigurohen soba dhe dru zjarri për nxënësit e shkollave të fshatrave. “Ka tre vjet që opozita kërkon që qeveria në buxhetin e saj të alokojë një fond të veçantë të gjithë komunave e bashkive për rastet e emergjencës”- tha ai gjatë një deklarate për mediat.
Ai ka kujtuar se bora dhe ngricat e javës së parë të vitit 2009 bllokuan komuna të tëra në shumë se gjysmën e territorit të vendit. Me problem kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fshatrat e qarkut të Kukësit, Dibrës, Shkodrës, etj. Ndonëse situata ka qenë dhe është kritike, sipas tij, qeveria e ka përballuar atë me parulla demagogjike dhe jo me veprime konkrete që do ta zbusnin së tepërmi situatën e krijuar.
“Të 135.000 banorët e qarkut të Dibrës janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme të motit. Sot 40 fshatra të Matit, Bulqizës dhe Dibrës janë të bllokuar. 43 fshatra të tjerë jane të bllokuar në Qarkun e Kukësit”- theksoi Minxhozi.
Në këto fshatra, sipas tij mungon mjeku, mungon tërësisht shërbimi shëndetësor. Si rezultat i vështirësive vetëm në këto 2 qarqe janë të bllokuara 56 shkolla 9-vjeçare dhe 12 shkolla të bashkuara. Në këtë situatë alarmante, ka theksuar ai, vetëm shteti është i qetë, pasi vetëm konstaton. Ndërkohë që shtabet emergjencës në qarqe nuk kanë asnjë fond shtesë për të përballuar situatat e vështira.
“Ndërkohë që situata ngelet akoma problematike asnjë ministër i qeverisë nuk ka qenë në asnjë komunë për të parë nga afër situatën dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve”- tha ai.