Obelisk te Piramida për viktimat e komunizmit
Tiranë-Kryeministri Berisha shpalosi sot idenë e ndërtimit në një obelisku para piramidës në nderim të viktimave të komunizmit. Po kështu do të shpallë 20 shkurtin, si ditën në nderim të këtyre viktimave. Berisha është shprehur se “kjo datë është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajon të përmbysin realisht bustet e gjalla dhe të vdekura të diktaturës”. Kjo datë përkon me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në ’91.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë ku u votua edhe projektligji “Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri”.
Duke folur për krimet e komunizmit, Berisha tha se “Shqipëria nuk ka zgjedhur hakmarrjen, përsa i përket sistemit të shkuar, pasi kjo nuk do të ishte gjë tjetër, vetëm rrezikim për ripërsëritje të asaj që ka ndodhur. Por e vërteta është se nuk kemi zgjedhur as drejtësinë”. Sipas tij ka vende që kanë zgjedhur drejtësinë, por ne vijoi ai “si me ligjin e spiunëve edhe me të gjitha vendimet dhe ligjet e tjera që do të ndërmerren, kemi zgjedhur më së shumti një kufizim të përkohshëm të të drejtave të asaj kategorie që kanë qenë të përfshirë”.
Përsa i përket zgjedhjes së datës Berisha është shprehur se kjo datë është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajon të përmbysin realisht bustet e gjalla dhe të vdekura të diktaturës. Për më tepër 20 shkurti është dita që e bëri Shqipërinë me opozitën e vërtetë, pasi nga dita e themelimit të PD-së. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se “do ti propozohet parlamentit që të vendosë për ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist, para piramidës së diktatorit, e cila sot është Qendra e Kulturës “Pjetër Arbnori”.