E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, mbi 2 mijë emigrantë gdhihen në radhë

Kapshticë- Mbi 2 mijë emigrantë e kanë gdhirë natën në radhë, në pritje për të kaluar në tokën greke. Sipas të dhënave nga kjo pikë e kalimit kufitar, deri në orën 03.00 të mëngjesit mbi 2000 emigrantë kanë pritur në radhë për orë të tëra.

Shkak për radhën kilometrike është bërë puna me 2 sportele nga pala greke për shkak të kremtimit të ditës së Ujit të Bekuar. Por, krahas kësaj ka ndikuar edhe fluksi i menjëhershëm i emigrantëve nëpërmjet mbëritjes së autobusëve ku për pasojë edhe përpunimi i dokumentacionit ka qënë i ngadaltë.

Intensiteti i punës nga dogana greke është shtuar pas hapjes dhe të 2 sporteleve të tjera gjatë turnit të tretë. Vetëm pas kësaj situata ka ardhur drejt normalizimit.

Sipas të dhënave nga dogana, nga mëngjesi i sotëm dhe deri në drekë kanë kaluar rreth 1300 emigrantë, ndërsa në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 5000 emigrantë që kanë hyrë në tokën greke.

Në total, mbi 25 mijë ka arritur numri i emigrantëve që kanë hyrë në tokën greke që nga fillimi i këtij viti përmes pikës së kalimit të Kapshticës.

Përkundër situatës në Kapshticë, gjendja në Kakavijë paraqitet e qetë. Në sportele vijon puna normalisht për përpunimin e automjeteve, ndërkohë që nuk janë shënuar radhë problematike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›