Malaj: Nëse humb përballë Ramës, do jem prapë në PS
Intervista / Deputeti socialist, Arben Malaj, shpall hapur kandidimin e tij për kryetar të Partisë Socialiste
Me afrimin e datës së mbajtjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së, vihet re një lëvizje e shpejtë e bazës, e cila më së shumti ka dalë në përkrahje të kryetarit aktual të partisë, Edi Rama, ndërsa rivalët e tij brenda partisë kanë shtuar tonet, duke kërkuar largimin nga drejtimi i partisë. Arben Malaj, deputet dhe kandidat i shpallur për kreun e kësaj partie, ka deklaruar në një intervistë për "BBC"-në se do të jetë deri në fund të garës dhe kontributi i tij do të jetë gjithnjë brenda partisë së tij, edhe nëse platforma e tij nuk del fituese.
Zoti Malaj, tashmë që kongresi i Partisë Socialiste po afron, cila është esenca e platformës suaj, dhe deri ku është diskutuar ajo?
Bazuar në faktorët që nuk e bënë një fitore të mundshme të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit dhe në atë që PS-ja mbetet në opozitë për dy herë radhazi, përgatitja e një platforme ka qenë pjesë e një procesi, ku eksperimenti me një lider me pushtet absolut, që do të merrte përgjegjësitë absolute të humbjes, rezultoi jo i suksesshëm. Thelbi i platformës sime rezulton në disa pika kryesore.
E para, brenda Partisë Socialiste të ketë më shumë demokraci të brendshme, të rritet roli i grupit parlamentar, të rikthehet pavarësia e forumeve të partisë, siç janë Forumi Eurosocialist dhe ai Gruas, si dhe të rikthehet sistemi promovues, ku karriera politike është e mundshme për këdo dhe të vlerësohet për shkak të vlerave dhe jo preferencave individuale. Për platformën është punuar gjatë, është diskutuar me kolegë, që kanë patur karrierë të gjatë në politikë dhe në drejtimin e partisë, qeverisjes vendore apo dhe në Parlament.
Përveç jush, edhe deputeti Ben Blushi me një grup përkrahësish të tij, po kërkon ndryshime. Ju veproni veç e veç apo i keni koordinuar veprimet?
Grupi që nënshkroi rezolutën në Asamblenë Kombëtare për ndryshime në statut, përbëhet nga kolegë të përbashkët, me të cilët ne ndajmë mendime, bashkëbisedojmë, mundohemi të kuptojmë më mirë atë që PS-ja e ka të domosdoshme, për të rigjetur vetveten. Nuk ka një garë individuale, por ka një angazhim edhe të përbashkët, edhe individual, për të evidentuar gjithçka që është e nevojshme në këtë situatë ku është PS-ja.
Zoti Malaj, deri më sot, kryetari aktual i partisë Edi Rama, nuk ju ka zënë, ju rivalëve, në gojë dhe pas shumë kohe, tashmë ka pranuar se do të jetë në kandidimin për kryetar të partisë. Si e shpjegoni këtë heshtje të gjatë të Ramës?
Nuk do të paragjykoja pse Rama ka zgjedhur një rrugë të tillë. Jam shprehur publikisht kundër asaj që po ndodh në PS pas zgjedhjeve. Shumë nga kolegët që e mbytën oponencën brenda PS-së, siç ishte grupi parlamentar, kryesia, apo Asambleja Kombëtare, sot janë flamurtarë për të mbështetur deklarimet që vijnë nga rrethe të ndryshme në favor të Ramës. Unë besoj se PS-së, si parti moderne, nuk i hyjnë në punë deklaratat revolucionare të viteve '80-të. Zakonisht, deklaratat për liderin dhe partinë bëhen kur ata kanë përballë një armik.
Gara në PS, por dhe në ballafaqimin me shumicën, nuk ka trajtat e një lufte midis palëve. Unë mendoj se Rama, ngaqë i është ndërprerë mandati, ndoshta ka respektuar një heshtje. Ajo që po ndodh me strukturat e partisë, është se disa mbështetës të tij, po keqpërdorin influencat e tyre nw emër të një solidariteti të sëmurë. Në fakt, PS-ja ka nevojë të shërohet dhe jo të ndjehet e dobësuar nga një garë që e humbet për herë të dytë.
Zoti Malaj, tashmë edhe kryetari aktual Edi Rama, ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar. Ai hyn në garë duke qenë me avantazhet që të jep një post i tillë, ndërsa ju si një kandidat dhe deputet. Do ta vazhdoni garën deri në fund apo ekziston mundësia e tërheqjes suaj në një moment, kur gjykoni se gara është e pabarabartë?
Unë besoj se debati që bëhet për rikandidimin e Ramës, nuk është debat kundër Ramës, për t'i mohuar atij kontributet që ka sjellë në mandatet si kryetar bashkie apo si kryetar i PS-së. Debati për moskandidimin e Ramës ka të bëjë me kredibilitetin e një lideri të partisë. Askush nuk mund të thotë sot se, nëse Rama e shkarravit filozofinë e përgjegjësisë së humbjes, të cilën e përdori si kusht për të patur pushtet absolut, atëherë kredibiliteti i tij do të jetë i cenuar.
Një lider me këtë kredibilitet të cenuar e bën të vështirë fitoren e Partisë Socialiste, qoftë në garën për pushtetin vendor, qoftë për zgjedhjet parlamentare. Lidhur me kandidimin tim, unë kam ofruar mundësinë që në këtë situatë të vështirë, ashtu si kolegë të tjerë, nëpërmjet një gare, e cila në thelb nuk është një luftë, por është një konkurrencë vizioni e përgjegjësie, sidomos në momentin ku ndodhet PS-ja dhe e majta shqiptare. Nëse do të ndalet ky abuzim, që disa struktura të PS-së bëjnë për një solidaritet fals, i cili e dëmton Ramën dhe PS-në, dhe nuk e forcon atë, në qoftë se gara do të jetë e bazuar në një garë reale dhe jo në një keqpërdorim të strukturave të Partisë Socialiste, sigurisht që unë besoj se do jemi në garë, për të ofruar diçka të re.
Unë garën time e mbështes në tre elementë të rëndësishëm: Në përkushtimin për një punë pa kufi për t'i kthyer PS-së gjithë energjinë në këtë ballafaqim politik; në institucionin e mirënjohjes për çdo socialist dhe çdo mbështetës dhe në fleksibilitetin që duhet të kemi përballë koalicioneve dhe kompromiseve e aleancave të domosdoshme, që Partia Socialiste të fillojë dhe të zgjerohet në mbështetjen e saj publike, si parakusht për të qenë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse në fund platforma juaj dhe kandidatura juaj rrëzohet me shumicë votash dhe fitues do jetë sërish zoti Rama, cili do të jetë pozicionimi juaj dhe i mbështetësve tuaj në Partinë Socialiste dhe në Kuvendin e ri?
Konkurrimi për kryetar do të jetë një "anëtar, një votë", kemi marrë modelin e laburistëve. Ky votim nuk duhet bërë në emergjencë, kjo do të cenonte rëndë procesin zgjedhor dhe standardet në një forcë politike, kjo do të dëmtonte rëndë oponencën që bën PS-ja për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.
Kur pranon të hysh në një garë, sigurisht që pranon të orientohesh nga fitorja, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, kontributi im personal dhe në shenjë të mirënjohjes për mandatet qeveritare dhe politike, që më ka dhënë PS-ja, do të jetë gjithnjë brenda Partisë Socialiste. PS-ja nuk mund të përfshihet sërish në grindje, ndarje dhe riorganizime. Ne jemi shumë për një fitore të ardhshme dhe shumë pak për një ndarje ndërmjet njëri-tjetrit.
Për platformën:
"Thelbi i platformës sime rezulton në disa pika kryesore. E para, brenda Partisë Socialiste të ketë më shumë demokraci të brendshme, të rritet roli i grupit parlamentar, të rikthehet pavarësia e forumeve të partisë, siç janë Forumi Eurosocialist dhe ai Gruas, si dhe të rikthehet sistemi promovues, ku karriera politike është e mundshme për këdo dhe të vlerësohet për shkak të vlerave dhe jo preferencave individuale"
Për humbjen:
"Kur pranon të hysh në një garë, sigurisht që pranon të orientohesh nga fitorja, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, kontributi im personal dhe në shenjë të mirënjohjes për mandatet qeveritare dhe politike, që më ka dhënë PS-ja, do të jetë gjithnjë brenda Partisë Socialiste. PS-ja nuk mund të përfshihet sërish në grindje, ndarje dhe riorganizime"
Për konkurrimin:
"Nëse do të ndalet ky abuzim që disa struktura të PS-së bëjnë për një solidaritet fals, i cili e dëmton Ramën dhe PS-në, dhe nuk e forcon atë, në qoftë se gara do të jetë e bazuar në një garë reale dhe jo në një keqpërdorim të strukturave të Partisë Socialiste, sigurisht që unë besoj se do jemi në garë, për të ofruar diçka të re"