E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë me Malin e Zi

Prishtina dhe Podgorica thonë se nuk kanë asnjë problem mes veti. Ministrat Enver Hoxhaj dhe Milan Rocen presin që dy vendet t’i shkëmbejnë ambasadorët vitin e ardhshëm, pikërisht kur komuniteti malazez të njihet me Kushtetutë. Ata paralajmëruan një varg marrëveshjesh duke u zotuar se edhe çështjen e demarkacionit të kufirit do ta zgjidhin pa telashe Nga Shpend Limoni më 27 maj 2011 në ora 09:10

Kosova dhe Mali i Zi thonë se po shkojnë mirë mes vete.

Dy ministrat e jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Milan Rocen janë shfaqur të vendosur të enjten që raportet mes dy shteteve të reja ballkanike të avancohen edhe më tutje.
Kosovarët i janë mirënjohës Podgoricës për njohjen e pavarësisë në vjeshtën e vitit 2008, pikërisht kur Serbia arriti ta shtyjë një iniciativë në Kombet e Bashkuara për kontestimin e shpalljes së pavarësisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Mali i Zi ndërkaq si një “çmim” për këtë ka kërkuar që komuniteti malazez të përmendet edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Kjo në të kaluarën është përmendur edhe si një kusht i Malit të Zi për shkëmbimin e ambasadorëve mes dy vendeve, por dy kryediplomatët nga Prishtina dhe Podgorica ka thënë se mes dy palëve nuk ka barriera politike.

Milan Rocen, i cili të enjten në Prishtinë ka takuar autoritetet më të larta kosovare, ka thënë se hapja e Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë do të bëhet vitin e ardhshëm.

“Kam bërë shaka me Ministrin Hoxhaj duke thënë se unë dhe ti do të luajmë rolin e ambasadorëve. Shumë shpesh komunikojmë. Takohemi nëpër botë dhe do të ketë rast që z. Hoxhaj do të vijë edhe në Mal të Zi. Nuk bëhet fjalë për asnjë arsye politike. Ne planifikojmë ta hapim ambasadën vitin e ardhshëm. Thjesht për këtë vit nuk kemi paraparë mjete në buxhet për këtë. Ka krizë globale që fatkeqësisht nuk e ka lënë anash as rajonin tonë. Po ashtu, shpresoj se edhe Prishtina do ta ketë ambasadorin vitin e ardhshëm te ne”, ka thënë Rocen gjatë një konference për media me homologun e tij kosovar.

Ministri Hoxhaj ka konfirmuar gatishmërinë e palës kosovare që çështja e malazezëve të rregullohet me ndryshimet kushtetuese.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar që komunitetin malazez në Kosovë ta përcaktojë me Kushtetutën e ardhshme të Republikës së Kosovës dhe ndryshimet kushtetuese që do të ndodhin gjatë vitit 2011/2012, komuniteti malazez do të jetë komunitet i njohur përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxhaj po ashtu ka lënë të kuptohet se nuk ka ndonjë problem rreth shkëmbimit të ambasadorëve.

Ai ka folur për raporte të mira me homologun e tij. “Me Ministrin e Malit të Zi unë kam telefonata pothuaj 5 deri në 7 -8 herë në javë. Bisedojmë për shumë çështje”.

Statusi i malazezëve është adresuar publikisht edhe nga diplomati malazez.

“Ne do të dëshironim që edhe pjesëtarët e komunitetit malazez në Kosovë të gëzojnë reputacion, mbrojtje dhe siguri sikur që e kanë shqiptarët në Mal të Zi.

Edhe ne do të kishim dashur që pjesëtarët malazezë ta ndiejnë Kosovën sikur që shqiptarët në Mal të Zi e ndiejnë veten si qytetar të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Dy palët kanë thënë se nuk kanë dallime as sa i përket çështjes së demarkacionit të kufirit, duke thënë se kjo pritet të ndodhë shpejt.

E, Ministri Rocen edhe kur ka komentuar për këtë çështje është kujdesur të thotë se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura.

Dy Ministrat e Jashtëm kanë folur për marrëveshje të riatdhesimit të të shpërngulurve, e që pritet të nënshkruhen në fund të qershorit, bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, si dhe për hapjen e një vendkalimi kufitar dhe për mundësinë e lëvizjes së qytetarëve vetëm me letërnjoftime.

Rocen ndërkaq ka komentuar edhe rreth deklaratave të kohëve të fundit që flasin për ndarjen e Kosovës, duke i quajtur humbje kohe.

“Mendoj se ka kaluar koha e ndarjeve dhe koha e vizatimit të kufijve të rinj në hapësirat tona. Të gjithë ata që ëndërrojnë kështu, qofshin ata në Serbi, në Mal të Zi, në Kosovë apo në Shqipëri, mendoj se vetëm humbin kohë”, ka thënë ai.

Edhe pse diplomati malazez ka thënë se i vjen mirë që bashkë me autoritetet e tjera të Malit të Zi ka marrë pjesë në vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk ka premtuar ndihmë për Kosovën në çështjen e njohjeve.

Në vend të kësaj ka dhënë një recept se si të sigurohen sa më shumë njohje për Kosovën.
“Kur është fjala për njohjet ndërkombëtare, mënyra më e mirë që të lobohet është që në vend të ndërtoni institucione demokratike, efikase dhe me këtë të dërgoni mesazhin më të mirë të mundshëm në botë. Sa i përket Malit të Zi, ne nuk kemi lobuar as për njohjen e Malit të Zi. Unë jam i sigurt se për të gjithë është e nevojshme koha”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi është shfaqur i hapur gjatë konferencës për media. Si në shaka dhe në mënyrë indirekte ka gjetur pak kohë t’ua kujtojë gazetarëve edhe sezonin e turizmit.

“Ejani në Mal të Zi dhe shkruani edhe diçka për Malin e Zi, vetëm për Kosovën po shkruani“.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›