E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërohemi këtu

Jo në Turqi e Maqedoni, as në Shqipëri e Serbi. Pacientët kosovarë tash mund të shërohen në klinikat private që ofrojnë të njëjtat shërbime mjekësore sikur në shtetet ku tash e 12 vjet kanë shkuar për t`u shëruar. Ministri Ferid Agani ka marrë vendim që të bëjë marrëveshje me 20 klinika në Kosovë. Nga Nebih Maxhuni më 27 maj 2011 në ora 09:14

Pacientët kosovarë tash e tutje nuk do të kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit për t`u shëruar.

Nëse deri tash ata kanë shkuar në Turqi ose në Shkup për të kryer ndonjë ndërhyrje kirurgjikale apo ortopedike, kosovarët këtë mund ta bëjnë në klinikat private në vend që ofrojnë të njëjtat shërbime mjekësore.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka vendosur që të enjten të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionet private shëndetësore të vendit, me qëllim të ofrimit të atyre shërbimeve shëndetësore, për të cilat deri tash pacientët kanë kërkuar mjekim jashtë vendit përmes MSH-së, dhe të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Agani ka thënë se kjo është një praktikë e re e MSH-së, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me përmirësimin e qasjes së qytetarëve ndaj shërbimeve kualitative shëndetësore në vend dhe është e ndërlidhur me zbatimin e Udhëzimit administrativ 03/2010 për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Sipas ministrit, në këtë marrëveshje janë të përfshira rreth 20 institucione private shëndetësore.

Sipas tij, pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, pacientët nuk do të kenë nevojë të dalin jashtë vendit.

“Synimi themelor është që qytetarët e vendit që të mos kenë nevojë që të dalin jashtë shtetit për të marrë shërbimet e duhura, në qoftë se ato janë në dispozicion me institucionet e licencuara private shëndetësore në Republikën e Kosovës. Mendoj se kjo do të jetë një praktikë pozitive, një praktikë e cila do ta lëvizë sistemin shëndetësor nga një gjendje, në të cilën qytetarët e vendit do të kenë shumë më tepër besim në sistemin shëndetësor të vendit sesa që e kanë tani”, ka thënë Agani.

Programi i TJIPSH-së është program i subvencionuar që edhe sivjet ka pasur në dispozicion 2 milionë euro, ndërsa numri më i madh i rasteve që deri tash janë trajtuar jashtë vendit, kanë pasur të bëjnë me patologji nga Onkologjia-Radioterapia, Kardiologjia Invazive dhe Kardiokirurgjia, Ortopedia, etj.

Sipas zyrtarëve të MSh-së, pacientët do të kenë mundësi që vetë të zgjedhin se ku do të shërohen në këto institucione private.

“MSH-ja deri në 30 mijë euro brenda të gjitha mundësive që ka është në gjendje të paguajë për një trajtim mjekësor, mbi këtë shumë është Qeveria e Kosovës që duhet të marrë vendim”, ka thënë ministri Agani.

I pyetur nga mediet se ku qëndron puna e MSH-së lidhur me Ligjin për shëndetësi dhe atë sigurimeve shëndetësore, Agani tha se sa i përket njëqindditëshit të parë të mandatit të tij, ritmi i punës në MSH është premtues për reformat e nisura.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›