E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni Gërguri

Nuk pranon të flasë për raportet që ka me ndërkombëtarët. Thotë se u zgjodh guvernator nga një proces i rregullt dhe transparent. Nuk tregon se ka plan, por thotë se Ligji për BQK-në ia qartëson kompetencat. Sistemin financiar në Kosovë e krahason me atë të shteteve të zhvilluara. Pranon se kamatat janë të larta. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, flet për Express. Nga Agon Sinanaj më 27 maj 2011 në ora 09:07

Guvernatorit të sapozgjedhur të Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gerguri, nuk i pëlqen fort të flasë për raportet që ka me ndërkombëtarët. Së paku, jo në mënyrën siç e kishte bërë shefi i ICO-së, Peter Feith, kur “loboi” haptazi që Gërguri të udhëheqë institucionin më të lartë financiar në Kosovë.

Numri një i Bankës Qendrore të Kosovës, Gerguri Gërguri, në një intervistë për Express, ka thënë se nuk i takon që t’i komentojë raportet e tij me ndërkombëtarët.

Krejt çka ka thënë ai në lidhje me letrën e shefit të ICO-së, ku rekomandohet emri i tij për guvernator, është se është zgjedhur nga një proces shumë i rregullt.

“Mua nuk më takon t’i komentoj këto pyetje pasi që edhe unë isha një nga 27 kandidatët, i cili ka kaluar nëpër një proces të qeverisur me transparencë dhe integritet nga ana e Panelit seleksionues”, është përgjigjur guvernatori.

Veç kësaj, Gërguri u kritikua edhe për mungesë të një plani se si do ta udhëhiqte BQK-në, në mandatin e tij. Kritika të këtij lloji mori posaçërisht nga deputetët, me rastin e votimit për guvernator.

Në këtë rast, ai sqaron se Banka Qendrore është një institucion publik dhe i pavarur dhe si e tillë i ka në mënyrë të qartë të definuara objektivat dhe përgjegjësitë e saj. “Dhe atë me ligjin e saj të veçantë si dhe me standardet ndërkombëtare të bankingut qendror dhe rregullativës dhe mbikëqyrjes financiare”, ka vlerësuar guvernatori.

Veç “mburrjes” me mënyrën se si u zgjodh guvernator, Gërguri ndihet komod edhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Kosovë. Madje, thotë se ka arritur një nivel të zhvillimit që e bën të krahasueshëm me sektorët financiarë të vendeve me histori edhe më të gjatë të veprimit.

Natyrisht, në gjithë këtë punë, sipas tij, Banka Qendrore e Kosovës bart meritat kryesore. “BQK-ja ka qenë gjeneratori i pandalshëm i formimit dhe zhvillimit të këtij sektori”, theksoi Gërguri.

Megjithatë, punët nuk janë edhe aq mirë kur është në pyetje mbikëqyrja e sektorit bankar dhe atij të sigurimeve. Madje, për këtë të fundit, Komisioni për Konkurrencë dënoi kompanitë e sigurimeve për monopol. Shitja e policave kufitare si tarifë unike ishte arsyeja. Sot e asaj dite, BQK-ja nuk e ka zbatuar vendimin e këtij institucioni, që i jep mandat Kuvendi i Kosovës.

Përkundër kësaj, guvernatori thotë se BQK-ja ka shtuar si perimetrin ,ashtu edhe frekuencën e mbikëqyrjes së sektorit financiar.

“Krahas mbikëqyrjes mikroprudenciale, BQK-ja ka bërë hapa inkurajues edhe në fushën e mbikëqyrjes makroprudenciale duke ‘stres-testuar’ qëndrueshmërinë e bankave individuale dhe të sistemit bankar si tërësi”, tha ai.

Në rastin e aplikimit të tarifave unike nga kompanitë e sigurimeve, Gërguri thotë se do të vazhdohet kështu derisa nuk merret një vendim tjetër. Të gjitha kompanitë e sigurimit që ofrojnë sigurim të detyrueshëm të auto-përgjegjësisë, duhet të lëshojnë dhe t’i ripërtërijnë policat e tyre të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë duke aplikuar tarifat minimale të caktuara nga BQK-ja.

Kërkesës Komisionit për Konkurrencë për shfuqizim të monopolit, Gërguri i përgjigjet me disa masa që ka marrë BQK-ja. “BQK-ja kohëve te fundit ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së sigurimeve për zvogëlim të theksuar të tarifave të sigurimeve kufitare përafërsisht 50 për qind”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, ka thënë se për tregun e sigurimeve mund të thuhet se është i liberalizuar dhe kompanitë mund të ofrojnë produkte me tarifa të ndryshme. Hiq këtu sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë, ku, sipas tij, ka një liberalizim të kontrolluar.
Më siguri shumë me të madhe Gërguri flet për sektorin bankar. Thotë se përkundër krizës financiare, ky sektor tregon nivel të lartë të stabilitetit.

Ndërkaq, pranon se me gjithë këtë performancë të mirë të bankave, kamatat për kredi mund të jenë të larta. “Për sa u përket normave të kamatës, ato mund të konsiderohen të larta, por si të tilla ato reflektojnë kushtet e tregut në të cilat operon sistemi bankar në Kosovë dhe në regjion”, thotë ai.

Për këtë, fokusi i BQK-së, thotë Gërguri, është duke u rritur në drejtim të përkrahjes së aktiviteteve që përmirësojnë edhe më tej ambientin biznesor. Kjo pastaj do të duhej të reflektojë edhe në zvogëlimin e normës së kamatës në kredi.

“Në bashkëpunim me akterë ndërkombëtarë dhe vendorë, BQK-ja është e përkushtuar të konkretizojë projektet që kanë të bëjnë me zvogëlimin e rrezikut kreditor”, tha Gërguri.

Me rregullore të BQK-së, bankat janë të obliguara që t’i bëjnë publike çmimet e tarifave dhe të gjitha shërbimeve. Por, nëse shikohen format e publikimit, pak nga to i kanë të postuara në ueb faqe apo në ndonjë formë tjetër të publikimit. Guvernatori pranon se në këtë drejtim BQK-ja parasheh të zgjerojë edhe më tutje kërkesat ndaj bankave lidhur me transparencën ndaj klientëve.

E sa i përket lëvizjes së lirë të kosovarëve, guvernatori thotë se në muajt në vijim pritet të aplikojnë në Asamblenë e Përgjithshme të Kartonit të Gjelbër mbi pranimin e Kosovë në këtë sistem. Mundësi tjetër mbetet gjetja e një zgjidhjeje kalimtare, e cila do të eliminonte nevojën për blerjen e policave kufitare, përkatësisht do të hapte rrugën që makinat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetareve të Kosovës dhe shtetasve tjerë që vizitojnë Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›