Mirë që e blejmë shtrenjtë, por çfarë karburanti blejmë
Nuk është e vështirë të konstatosh rënien e ndjeshme të përdorimit të makinave në Tiranë e gjetkë në Shqipëri për shkak të çmimit të lartë të karburanteve. Pavarësisht se guvernatori Fullani del i qullur çdo fillimjavë e na thotë rrisni konsumin, duke menduar se i kemi paratë nën dyshek e nuk i përdorim, sërish shqiptarët nuk kanë më takat të blejnë asgjë.
Po ashtu nuk është e vështirë të konstatosh se në Shqipëri problem nuk është vetëm çmimi shumë i lartë i karburantit, por edhe cilësia e tij.
Dje Serbia shpalli një sërë nismash për të kufizuar ndotjen që shkaktohet nga karburanti me cilësi të dobët. Një renditje e Qendrës Ndërkombëtare për Cilësinë e Karburantit e vendos Serbinë të pestën në Europë për karburantin me cilësinë më të keqe. Në vend të parë për karburantin më të keq në Europë? Shqipëria. Përqendrimi i lartë i sulfurit në karburant po na merr, sipas disa studimeve, dy vite të jetës. Megjithatë nuk e keni parë kurrë kryeministrin Sali Berisha të flasë për këtë problem, që kur ish- truprojës së tij dhe njeriut kyç në çdo aferë në vend i doli emri si i implikuar në aferat e naftës vergine.
Por sikur të mos mjaftojë fakti që e blejmë shtrenjtë dhe e kemi me një cilësi të tmerrshme që po na shkatërron jetën dhe makinat, ne nuk e kemi të sigurt as sasinë që marrim për atë që paguajmë. Këto ditë një nga importuesit e shpërndarësit e mëdhenj të karburantit në vend, me emër të mirë në këtë fushë, ka nisur një seri reklamash ku u bën thirrje njerëzve të blejnë karburant aty sepse marrin atë sasi që paguajnë. Është një deklaratë e qartë se konkurrentët e tjerë nuk të japin sasinë që kërkon. E mbajmë mend se si njëherë disa zyrtarë të metrologjisë ngelën me gisht në gojë ndërsa tentuan të bëjnë kontrolle pranë karburanteve në praninë e medias. Tani që këto drejtori i ka në dorë LSI me ca burra si Besjan Pesha e kompani, jemi në dorë të sigurt.