E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëkuptim për Kosovën



Takimi i Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi mund të interpretohet jo vetëm si sinjal se Kosova është përparësi e politikës amerikane, por edhe sinjal për europerëndimorët se duhet të sillen sikurse amerikanët.

Në planin ndërkombëtar duket se jemi më të përparuar sesa në planin e brendshëm. Vetë fakti që ndër burrështetasit e parë që i pranoi në rezidencën e saj Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ishte Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi, ishte një sinjal shumë i qartë për bashkësinë ndërkombëtare sesa për Kosovën. Takimi mund të interpretohej edhe në këtë mënyrë: Kosova do të jetë edhe në të ardhmen përparësi e shtetit më të fuqishëm në botë, këtë gjë e vulos Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton. Pastaj se SHBA-të, ashtu sikurse na shpëtuan nga gjenocidi, pra nga shuarja, ashtu siç ishin faktori kryesor që ndikuan të bëhemi shtet, do të na ndihmojnë dhe do të bisedojnë me shtetet e treta, të cilat kanë mëdyshje, mungesë informacioni, presione dhe që për këtë arsye apo tjetër nuk e kanë ndërruar qëndrimin e tyre prorus a proserb. Se nga takimet e shtetarëve të Kosovës me zyrtarët më të lartë amerikanë do të ketë zhvillime të reja pozitive, na e sinjalizoi edhe Presidenti Sejdiu, i cili ishte optimist, besoj me arsye, se së shpejti do të fillojë shpeshtësia e njohjeve të reja. Natyrisht, janë të gjitha gjasat që këto garanci i mori në Uashington.

Takimet në SHBA ishin me rëndësi edhe në planin e brendshëm. E para, me këtë udhëtim Presidenti dhe Kryeministri e ngritën pak moralin e qytetarëve pas euforisë së pavarësisë kur ra “patriotizmi” dhe filloi shushurima e depresionit sikur kemi mbetur në udhëkryq, sikur nuk jemi askund, madje-madje një pjesë e shtypit në përpjekje për t’u bërë opozitë e sertë e pushtetit, sidomos për të realizuar ëndrrat e bosëve të tyre, krijojnë pesimizëm të tillë sa gati-gati nuk thuhet më mirë e kishim kur nuk e kishim shtetin! E dyta, me këto takime dëshmohet se e kemi mbështetjen pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (por kjo nuk duhet të kuptohet se e kemi mbështetjen blanko të SHBA-ve, sepse ky do të ishte gabim i madh, madje i pafalshëm i zyrtarëve tanë dhe i opozitës ), se nuk do të mbetemi në moçalin e brendshëm të takimeve me zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët megjithatë në hierarkinë e tyre shtetërore nuk do të thonë shumë, por që më shumë janë përcjellës të porosive, që të mos themi të diktateve të caktuara nga vendet prej ku vijnë. Ndërkaq, kohëve të fundit, të mos themi viteve të fundit, patëm aq shumë lajmëtarë të tillë, të cilët më shumë na jepnin detyra shtëpie, të cilat ne duhej t’i kryenim. Dhe ne, kaq shumë vjet kemi kryer detyra të shtëpisë për hir të faktit që të bëjmë sa më shumë miq dhe të kemi mbështetje sa më të madhe. Dhe me këtë gatishmëri ndonjëherë e kemi kaluar vijën e kuqe, sepse kur është rezistenca më e vogël, edhe sulmet e të tjerëve bëhen më të mëdha dhe më të furishme. Kështu që nuk dinë të ndalen, po nuk u the se s’mundesh më, se nuk ka kufi tjetër etj.

Besoj se tash në politikën e tyre të jashtme (të disa shteteve) do të duhej të krijohet bindja e mjaftueshme që të ndërrojnë qëndrim, të binden se detyrat i kemi kryer dhe se tash është koha që edhe ata të kryejnë detyrimet që i kanë marrë ose që të realizojnë premtimet e mëdha në mbështetje morale, financiare dhe në trasimin e rrugës për t’u inkuadruar në institucionet ndërkombëtare.

Ndërkaq, Kosova, meqë e ka përcaktuar statusin e vet, pra është shpallur shtet i pavarur, të cilën gjë e kanë pranuar dhe janë pajtuar pikërisht ato shtete që na dërgojnë vazhdimisht lajmëtarë, atëherë duhet që të pranojnë a të ftojnë përfaqësuesit tanë më të lartë dhe të dërgojnë po ashtu shefat e shteteve të tyre. Nëse në të kaluarën kanë ngurruar, sepse nuk e kishim shtetin, tash nuk kanë kurrfarë arsyesh, sepse jemi shtet i pavarur. Deri më tash ishin të pakta shtetet që ftuan zyrtarët tanë më të lartë, megjithëse takimet dhe krijimi i strategjisë së përbashkët evropiane, ku do të llogaritej edhe Kosova, janë me shumë rëndësi.

Është mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua hapën dyert zyrtarëve tanë, e thyen akullin që këtë gjë ta bëjnë edhe burrështetasit e tjerë, në mënyrë që më shpejt dhe pa dridhje të mëdha të hyjmë në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, duke filluar në ato ekonomike, politike e të sigurisë, sepse Kosova po ashtu në të ardhmen e afërt mund të kontribuojë në vatrat e krizës. Por më parë duhet të krijohet stabiliteti në rajon. Ndërkaq, qëndrimi ndaj Serbisë po ashtu duhet të jetë ndryshe: të mos përkëdhelet më, por të bisedohet më me vendosmëri me zyrtarët e tyre.

Me fjalë të tjera, takimi i Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi mund të interpretohet jo vetëm si sinjal se Kosova është përparësi e politikës amerikane, por edhe sinjal për shtetet europerëndimore e për ato shtete që kanë marrëdhënie të mira me SHBA-të që të kenë më shumë mirëkuptim ndaj Kosovës, pra edhe të ftojnë përfaqësuesit e tyre për të kuptuar hallet e shtetit të ri. Natyrisht, shumica e shteteve evropiane morën obligime për zhvillimin e Kosovës, është mirë që premtimet e veta t’i realizojnë, në mënyrë që të dalin ata e ne faqebardhë në sfidat e ardhshme, që mund të jenë të rënda si në planin ekonomik, ashtu dhe në planin politik e të sigurisë.

Të shpresojmë se vizita e parë e nivelit më të lartë që u realizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë vetëm fillimi i një diplomacie shumë më dinamike, e cila në këtë rast varet shumë nga dashamirësia dhe diplomacia pozitive e shteteve evropiane dhe botërore. Zyrtarët e Kosovës janë të gatshëm të takohen me të gjithë, sepse nëse nuk do të kemi investime ekonomike, zhvillim të infrastrukturës; nëse nuk do të kemi kredi të jashtme, do ta kemi gjendjen pisk. Shpërthimet sociale janë te dera dhe këto gjëra nuk mund t’i zgjidhë ekonomia jonë e varfër, as buxheti i shtetit, i cili në disa raste firon ende pa dalë në dritë, por mund t’i zgjidhë një mirëkuptim më i fuqishëm ndërkombëtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›