E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirel Josa, gati emërimi në krye të stolit të Elbasanit

Mirel Josa është emri që presidenca e Elbasanit ka zgjedhur për të drejtuar skuadrën në sezonin e ardhshëm. Kampionët e Shqipërisë të përpara dy viteve dështuan në objektivin për të siguruar një vend në Kupat e Evropës, duke e mbyllur kampionatin në vendin e katërt, 4 pikë larg Besës që do të luajë në Kupën Intertoto. Kjo është arsyeja përse drejtuesit Arben Laze dhe Gentian Çërraga vendosën që t‘ia besojnë stoli atij që cilësohet si një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri. "Marrëveshja mes palëve është arritur. Mirel Josa do të jetë trajneri i ri i Elbasanit", pohoi Laze për mediat. "Prezantimi i tij në krye të skuadrës do të bëhet pak më vonë, mbase pas tre ose katër ditëve". Drejtuesi i klubit verdheblu pohoi mes të tjerave se së bashku me Josën do të bëhet edhe prezantimi i dy blerjeve të reja. Emrat e futbollistëve mbahen "top sekret": "Në momentin që do të bëjmë prezantimin e Josës, do të shpallim edhe afrimin në ekip të dy lojtarëve. Emrat nuk dëshirojmë t‘i bëjmë publikë, por mund të them vetëm se ata nuk kanë qenë pjesë e kontingjentit gjatë edicionit të kaluar".

Në këtë mënyrë përfundon edhe detyra e Krenar Alimehmetit në stolin elbasanas. Ai ishte një prej tre trajnerëve që gjatë sezonit të kaluar arritën t‘i rezistonin "prerjes së kokave" (së bashku me Hasan Likën e Partizanit dhe Gugash Maganin e Shkumbinit). Ndërkohë, në sezonin 2007/08, Mirel Josa ishte tekniku i 14-të nga 16-tët që humbën vendin e punës. Ai u largua nga Vllaznia më 8 mars 2008, pas humbjes 2-1 të javës së 23-të të Superiores, që shkodranët pësuan në shtëpi me Teutën. Në vend të tij, presidenti Valter Fushaj emëroi malazezin Dervish Haxhiosmanoviç, që në javët në vazhdim arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë. Në momentin që Josa u largua nga Vllaznia, skuadra renditej në vendin e gjashtë me 35 pikë të grumbulluara në 23 ndeshje (9 fitore, 8 barazime dhe 6 humbje), ndërsa në 10 javët e mbetura të kampionatit ata arritën të merrnin vetëm 10 pikë, duke e mbyllur sezonin në vendin e shtatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›