E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjasula, kontratë 3-vjeçare me Bazel

Mesfushori shqiptar, Jurgen Gjasula, është transferuar te kampionët aktualë të Zvicrës, Bazel. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit helvetik. Gjasula ka nënshkruar kontratë për tri vitet e ardhshme me skuadrën që këtë sezon do të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve. "Gjysmë muaji para fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri, Bazeli, kampioni i Zvicrës për vitin 2008, ka angazhuar 22-vjeçarin Jurgen Gjasula. Klubi dhe futbollisti i ri kanë gjetur marrëveshjen për një kontratë trevjeçare, të vlefshme deri në qershorin e vitit 2011", thuhej në faqen elektronike të Bazelit. Gjasula është larguar nga St. Galen, pasi bordi drejtues i klubit zviceran ka vendosur ta përjashtojë atë nga ekipi, meqë kontrata e tij do të skadonte në fund të sezonit që sapo përfundoi. Drejtuesit e St. Galen këtë vendim e kishin marrë pasi shqiptari me pasaportë gjermane nuk ka pranuar që të rinovojë kontratën. Ndërkohë për Gjasulën kanë qenë të interesuar disa ekipe si Totenhemi në Premiershipin anglez, Deportivo La Korunja në La Liga spanjolle e së fundmi edhe Lacio në Serinë A italiane. 22-vjeçari ishte pjesë e St. Galen që prej vitit 2005, ndërkohë që më parë mesfushori tiranas kishte luajtur edhe me klubet e mirënjohura gjermane, Kaizerslautern dhe Fraiburg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›