E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirel: “Plotësimi i kriterit politik, parakusht për integrimin në BE”



Eljona Ballhysa

Drejtori për Zgjerimin në BE, Pjer Mirel, kërkoi dje nga qeveria shqiptare përmbushjen e kriterit politik si kusht parësor për të propozuar shqyrtimin e kërkesës së një vendi kandidat. Mirel e bëri këtë deklaratë gjatë mbledhjes së mbajtur dje, në Kryeministri, të Komitetit ndërministror për Integrimin. Në këtë mbledhje, përveç ministrave të linjës, merrnin pjesë drejtori për Zgjerimin në BE, Pjer Mirel, si dhe ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje, Mirel ka paraqitur kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria deri në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ndër më parësoret Mirel ka cilësuar përmbushjen e kriterit politik, çka përfshin domosdoshmërinë e stabilitetit politik në vend. Një deklaratë e tillë e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian vjen në një moment kur vendi është përfshirë nga mitingjet dhe antimitingjet. Në një moment kur opozita prej gati tre muajsh bojkoton Kuvendin dhe ky institucion gjendet i bllokuar për shkak se maxhoranca nuk mund të miratojë dot e vetme ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ligje që përbëjnë thelbin e reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët për integrimin në BE. Deklarata e Mirel vjen gjithashtu në një moment kur kreu i qeverisë, njëkohësisht lideri i partisë më të madhe në pushtet, në vend që të ofrojë kompromis për opozitën, ka ndërmarrë nismën për t’iu përgjigjur asaj me antimitingje, duke thelluar më tej krizën politike në vend.
Kushtet
“Elementi, që është edhe shumë i rëndësishëm, janë kriteret politike. Dhe, në fakt, janë pikërisht këto kritere politike apo plotësimi i tyre parakushti për të rekomanduar apo për të mos rekomanduar një vend aplikant. Gjithashtu, ne do të shohim edhe një seri kriteresh të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike, por më saktë, një grup të caktuar, pra do të shohim nëse ekonomia e tregut funksionon siç duhet”, - është shprehur Mirel, ndërsa e ka vënë theksin në domosdoshmërinë e zgjidhjes në Shqipëri të çështjeve që lidhen me pronësinë. Pra, duke parë pikërisht këto, ato që quhen disa nënkritere të funksionimit të ekonomisë së tregut, për mua ndoshta njëra prej tyre është e rëndësishme, është çështja e pronësisë. Pra, e drejta e pronësisë dhe po ashtu respekti për kontratën janë elemente të rëndësishme që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike”, - është shprehur Mirel. Më tej ai ka shtuar edhe fusha të tjera për të cilat qeveria do të raportojë në BE. “Po ashtu, ne do të shohim edhe pjesën tjetër të standardeve europiane. Ju do të duhet që të raportoni edhe për çështje të tjera, si p.sh. ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm etj., por kriteret më të rëndësishme kanë të bëjnë me kriteret politike dhe tregu funksional”, - është Mirel. Ai ka sqaruar edhe procedurën që ndiqet për vlerësimin e arritjeve. “Pasi të marrim përgjigjet tuaja, ne do t’i vlerësojmë ato në Bruksel, do t’i shqyrtojmë me kujdes dhe ndoshta do të kthehemi përsëri te ju me disa pyetje të tjera. Ndoshta do të kemi disa takime teknike. Po ashtu, ne do të dërgojmë disa misione ekspertësh në Shqipëri, në mënyrë që ata të konfirmojnë që ajo që është shkruar në letër është edhe realiteti në terren. Ashtu siç bëjmë edhe me Progres-Raportin çdo vit, ne do të marrim edhe mendimin e të tjerëve, përveç qeverisë, se përndryshe do të ishte tepër e lehtë”, - është shprehur drejtori për Zgjerimin në BE. Mirel ka theksuar në fjalën e tij se cilësia e përgjigjeve që do të japë qeveria shqiptare gjatë plotësimit të pyetësorit është më e rëndësishme sesa sasia e tyre. Ai gjithashtu sqaroi kreun e qeverisë se do të duhen më shumë 3 muaj për të plotësuar pyetësorin, duke hedhur poshtë nismën e qeverisë të thyer rekordin e Kroacisë në drejtim të plotësimit të pyetësorit. “Përsa i përket kohës, ne kemi thënë se presim që përgjigjet të jenë gati brenda 3 muajsh, por gjithsesi kjo është diçka që ne do ta dëshironim. Sërish dua të them se ky është një proces tepër i rëndësishëm dhe, ashtu siç e tha edhe ambasadori Lohan, cilësia është shumë më tepër e rëndësishme sesa sasia. Nuk do të ishte fare mirë për ne nëse do të na vinin përgjigje të pakompletuara apo përgjigje që nuk do të ishin të kuptueshme, pasi ne do të na duhej që të ktheheshim herë pas here te ju. Pra, ajo që dua të them është se në rast se për procesin do të duhen më shumë se 3 muaj, atëherë le të jenë më shumë se 3 muaj”, - është shprehur Mirel. Edhe ambasadori Lohan, gjatë fjalës së tij, vuri theksin në rëndësinë që ka cilësia e përgjigjeve që do t’i kthejë qeveria shqiptare pyetësorit të BE-së. “Ka shumë fusha në jetë kur ne mendojmë mes cilësisë dhe sasisë. Unë do të thosha që në këtë rast sasia e madhe e gjithë kësaj ndihme që ju po jepni, pra e kapaciteteve që po jepni, është një parakusht i këtij ushtrimi. Këtu përmendët faktin se do të ishte diçka shumë e mirë që ju do të na jepni përgjigje të sakta, përgjigje të mira, por doja të thosha që për suksesin e këtij ushtrimi është shumë i rëndësishëm kontrolli i cilësisë që ju do të bëni me të gjithë funksionarët dhe udhëheqësit e këtij ushtrimi”, - është shprehur Lohan.

Berisha zbulon se nuk ka informacion mbi aspektet teknike të procesit të integrimit

Kryeministri Berisha ka zbuluar se nuk ka informacion për aspektet teknike të procesit të integrimit. Megjithëse ai e ka përcaktuar procesin e integrimit kryefjalën e punës së qeverisë së tij, Berisha duket se nuk është njohur ende me të gjitha etapat e këtij procesi. Kreu i qeverisë e ka nxjerrë veten zbuluar dje gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Çështjet e Integrimit. Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe drejtori për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Berisha i ka kërkuar zotit Mirel të bëjë një ekspoze edhe për aspektet teknike të pyetësorit. Ndërkohë që aspektet teknike janë të njëjta për të gjitha vendet. Pra Shqipëria do të kalojë në të njëjtat faza në të cilat kanë kaluar edhe vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë marrë statusin e vendit kandidat në BE, siç është konkretisht edhe Kroacia, e cila po i jep eksperiencën e saj në këtë fushë qeverisë shqiptare. Një tjetër aspekt me të cilin nuk është njohur jo vetëm kryeministri Berisha, por edhe qeveria shqiptare, është koha e shkurtër që ata kanë parashikuar për të kthyer përgjigjet. Pak kohë më parë kreu i qeverisë u angazhua publikisht për t’i kthyer përgjigjet brenda tre muajve pas ardhjes së pyetësorit, duke thyer rekordin e vënë nga Kroacia, e cila i ktheu përgjigjet për 4 muaj. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, drejtori për Zgjerimin në BE, Mirel, e cilësoi këtë kohë të pamjaftueshme. Duke vënë theksin te cilësia e përgjigjeve, Mirel shtoi se është e nevojshme të merret koha e duhur për të hartuar përgjigjet.

Kushtet

Plotësimi i kriterit politik që përfshin stabilitetin politik, respektimin e pavarësisë së pushteteve, garantimin e zgjedhjeve të lira etj.

Funksionimi i ekonomisë së tregut.

Zgjidhja e çështjeve që lidhen me pronësisë.

Funksionimi i administratës doganore. Në disa raste do të shihet se si administrata doganore i vë në zbatim këto rregulla që kanë të bëjnë me vlerësimin doganor. Do të shihet TVSH-ja, nëse ajo aplikohet në kohën e duhur.

Qeveria do të raportojë edhe për çështje të tjera, si p.sh. ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm etj.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›