Berisha, akuza Ramës pas 5 vitesh për shitjen e tokës te Tajvani
Thellohet edhe më tej debati për shitjen e truallit në parkun “Rinia”, ku është ndërtuar qendra “Tajvan”. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Rama, për shitjen e kësaj toke, sipas tij, në kundërshtim me ligjet e vendit. Ndërkaq, toka është shitur në vitin 2005 dhe për shitjen e truallit ka votuar Këshilli Bashkiak ku pro këtij vendimi kanë votuar edhe këshilltarët e Partisë Demokratike. Për gati pesë vjet kryeministri Berisha ka heshtur për këtë vendim, ndërkohë që dje vendosi ta anulojë shitjen e këtij trualli me vendim qeverie.
Mbledhja
“Qeveria do të anulojë vendimin e shitjes së tokës publike në qendër të Tiranës, në kundërshtim flagrant me ligjin. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës. Shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të Ramës që kërkon të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milionë euro, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e Bregut, nga Velipoja në Ksamil”, - është shprehur Berisha. Kryeministri Berisha bëri të ditur dje se qeveria do të anulojë vendimin për shitblerjen e 1350 metrave katrorë tokë publike në qendër të Tiranës, një akt sipas tij, i bërë tërësisht në kundërshtim me Ligjin për shitblerjen e trojeve Nr. 7980, datë 27.7.1995. Për këtë, kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të Kushtetutës dhe përgjegjësinë e plotë të Këshillit të Ministrave, anulimin e këtij vendimi.
Kryeministri Berisha argumentoi shkeljen e hapur të ligjit me aktin e shitblerjes së këtij trualli në qendër të Tiranës, duke theksuar se një transparencë e tillë do t’u bëhet të gjitha rasteve të ngjashme me këtë rast, të përvetësimit të pasurisë publike për interesa personale. Sipas Berishës, Rama ka shkelur Ligjin për shitblerjen e trojeve numër 7980, datë 27.7.1995. “Neni 3 i tij thotë se derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish-pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private bëhet vetëm në rastet si vijojnë: Për ndërtimin e banesave me qëllim të lirimit të banesave të ish-pronarëve, si dhe për të pastrehët, të ndërtuara nga Enti i Banesave për persona të tjerë. Me vendim të Këshillit të Ministrave për shitje për investime shumë të rëndësishme për vendin. Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës kanë shkelur rëndë ligjet e vendit”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se shitja e këtij trualli është bërë me çmim qesharak. “Së dyti, po kaq e shëmtuar është shitja e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro metri katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t’i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai ka shtuar se “kjo është një dëshmi e vogël, por tepër domethënëse se përse aleanca punisto-mafioze nuk do të respektohen dhe të njihen vendimet e gjykatave dhe na kërkon të shkelmojmë mbi to, madje na kërcënon”.
Berisha gjithashtu deklaroi se shumë shpejt do t’u faktojë shqiptarëve “njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të PS-së, që kërkon të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milionë euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e Bregut, nga Velipoja në Ksamil”.
26 Nentor 2009