Mirëmbajtja e Rrëshen-Kukës e shtrenjtë, të mendohet koncesioni
Rruga Rrëshen-Kukës, përveçse më e shtrenjta në historinë e gjithë ndërtimeve infrastrukturore të Shqipërisë, ka një kosto tjetër të lartë që lidhet me mirëmbajtjen. Në draft, raportin e Bashkimit Europian që flet për planin kombëtar shqiptar të transportit, thuhet qartë se nga buxheti çdo vit do të shkëputet një pjesë e mirë parash që do të shkojnë në adresë të Rrugës së Kombit. Në këtë pikë që shteti shqiptar të lehtësohet nga kjo barrë, draft-raporti i BE propozon që të merret në konsideratë dhënia me koncesion. “Nëse merret vendim që të vihet taksa e rrugës, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është lidhja e një marrëveshjeje që kjo taksë të operohet në mënyrë private”, thuhet në draft raport. Propozohet që të bëhet nënkontraktimi i grumbullimit të taksave të rrugës dhe i operimit dhe menaxhimit, si dy kontrata të veçanta shumëvjeçare shërbimi, në bazë të të cilave Qeveria shqiptare grumbullon gjithë taksat dhe e paguan kontraktuesin për operimin dhe menaxhimin. Një tjetër propozim është që kontraktuesi, kur është një i vetëm, të vetëfinancohet nga taksat ose të lidhen kontrata të gjata 15-vjeçare. “Duhet të vlerësohen normat e taksave të rrugës dhe kostot e operimit dhe menaxhimit, si dhe të përcaktohen standardet e performancës së operimit dhe menaxhimit. Duhet të vlerësohen avantazhet dhe disavantazhet e çdo alternative, dhe një raport duhet përgatitur dhe duhet analizuar nga Ministria dhe ARRSH”, vazhdon draft- raporti. Ndërkohë, që në rast të shpalljes së një tenderi, specifikohet që studimi të kryhet nga një konsulent i specializuar ndërkombëtar, me përvojë në këtë fushë, sidomos për rrugët me tunele të gjata. Deri në marrjen e një vendimi për mirëmbajtjen e Rrëshen-Kukës, përgjegjës është kontraktuesi aktual ose kompania Bechtel-Enka. Duke qenë se në përgjithësi koncesioni është një mënyrë më e suksesshme për të evituar shpenzimet nga buxheti, në mirëmbajtën e rrugëve, në draft- raportin e BE propozohet që i njëjti shembull të ndiqet edhe për rrugën Tiranë-Elbasan. Kostoja e lartë e këtyre rrugëve lidhet me tunelet të cilët kanë sisteme ventilimi dhe manovrimi të ajrit, të kullimit dhe thithjes të ndriçimit, sigurisë dhe emergjencës.