E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH, Shqipëria 6 muaj në recension ekonomik



nertila maho

Ekonomia e Shqipërisë, sado pozitivisht që të performojë, nuk pritet të ketë më shumë se 1.4 për qind rritje. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që lidhet me parashikimet ekonomike për një sërë rajonesh, jep edhe detajet për vendin tonë. Parashikimi fillestar, i bërë nga BERZH në mars të këtij viti për rritjen ekonomike ishte 1.4 për qind rritje për 2010-ën dhe kjo shifër nuk ka ndryshuar edhe në këtë rishikim të dytë. Perspektiva për një rritje më të madhe në vitin 2011 zbehet sërish nga banka. Nga 3.1 që parashikohej të rritej GDP-ja, në vitin pasardhës BERZH mendon se me performancën e deritanishme të treguesve ekonomike rritja e 2011-ës do të jetë diku tek 2.3 për qind. Rritjen më të lartë, ashtu sikundër u lakua në fillim të këtij viti për rajonin, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e pret nga Serbia, ndërsa Shqipëria do të renditet e dyta. “Në vendet e Ballkanit, rritja ekonomike më e lartë pritet të jetë nën 2 për qind dhe ky shtet do të jetë Serbia, ku çmimet favorizuese të metaleve po ndihmojnë disa nga industritë kyçe në vend dhe nga ana tjetër një program i madh për zhvillimin e infrastrukturës është duke u zbatuar, duke mbështetur në këtë mënyrë edhe rritjen. Ndërsa Shqipëria është një tjetër vend në rajon që arriti të menaxhonte krizën gjatë 2009-ës dhe të rriste GDP-në, por kjo rritje me shumë mundësi do të ulet gjatë 2010-ës” thuhet në raportin e BERZH. Më në detaj për Shqipërinë raporti shpjegon se janë një sërë faktorësh që do të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes ekonomike, duke filluar nga ato që lidhen me ngjarjet e përmbytjeve në fillim të vitit e deri tek kriza greke. Hyrja e kapitalit, por edhe e remitancave, vlerësohet se do të jetë në nivele shumë modeste, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e ekonomisë shqiptare për këtë vit. “Vendi është mjaft i ekspozuar ndaj krizës greke, pasi shumica e remitancave në Shqipëri vijnë nga emigrantët në Greqi, shumica e të cilëve punojnë në punë sezonale” nënvizon raporti.
6 muaj recension
Raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën një pasqyrim të gjithë treguesve ekonomikë të Shqipërisë, por nuk kursen as parashikime negative për ecurinë e ekonomisë. Në dy tremujorë të këtij viti, BERZH parashikon një recension të ekonomisë shqiptare, i cili më i theksuar do të jetë në tremujorin e dytë dhe pastaj më i moderuar në tremujorin e tretë. “Banka parashikon një rritje 2 për qind të GDP-së për tremujorin e parë, -1.5 për qind në tremujorin e dytë, -0.5 për qind në tremujorin e tretë dhe 5.9 për qind në tremujorin e katërt”, thuhet në raport. BERZH gjithashtu jep edhe një sërë treguesish, ku qeveritë e vendeve të rajonit dhe më gjerë duhet të përqendrojnë vëmendjen e tyre siç janë borxhi publik, deficitet aktuale buxhetorë, kreditimi i ulët dhe në monedhë të huaj. Tregues të tjerë që raporti nxjerr në pah janë rritja e lehtë e depozitave, e ritmit të kreditimit të sektorit privat, por në ndryshim nga dy të parat punësimi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm. Dy muajt e fundit të 2010-ës, sipas BERZH, tregojnë një rënie të ritmit të punësimit.

Raporti i BERZH

GDP (parashikimet)
2010 1.4 %
2011 2.3 %
Tremujori I 2 %
Tremujori II -1.5 për qind
Tremujori III -0.5 për qind
Tremujori IV 5.9 për qind
Kreditë si përqindje e GDP-së
Sektori privat 26 %
Korporatat 18.7 %
Individët 7.2 %
Kreditë në valutë nga totali 68.1%
Asetet e huaja në banka 93%
Sistemi bankar (si pjesë e GDP-së) 78.4 %

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›