Mirëpresim kontributet, por koalicioni do të bëhet me forca politike
03/07/2009 Kreu i PD-së aleancë me parti të tjera, por hedh poshtë atë me PS-së
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i bindur në fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, ka deklaruar dje se do të zgjerojë koalicionin politik që drejton aktualisht. Gjatë një konference për shtyp lideri i demokratëve ka theksuar dje se forca politike që drejton synon dhe kërkon koalicion me forca politike. “PD-ja u përmbahet rregullave. Natyrisht që mirëpret kontributet. Dhe kur unë flas për koalicion, flas për koalicion me forca politike, natyrisht unë nuk jam për një koalicion të gjerë. Koalicionet e gjëra kërkohen kur nuk ka mundësi për koalicione të tjera. Ky është rregulli i demokracisë”, - ka deklaruar Berisha. Duke hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një qeverie përmes një koalicioni me Partinë Socialiste, Berisha tha se një aleancë e tillë kërkohet kur koalicionet e tjera nuk japin dot qeveri. “Ndërsa vendi ka koalicione të tjera, të cilat mund të japin qeveri dhe fare stabël. Ka vullnet pozitiv për koalicionin dhe ne jemi në frymën e kompromisit që kjo kërkon. Sovrani votoi, sovrani diktoi koalicion! Çfarë do të bëjmë ne? Do të themi se për inat të sovranit do të shkojmë në zgjedhje? Jo, absolutisht jo! Do të respektojmë këtë që na dha dhe t’i themi ‘faleminderit shumë’ dhe të vazhdojmë më tutje”, - garantoi kreu i PD-së. Kreu i demokratëve ka theksuar se pret i durueshëm rezultatin përfundimtar që do të dalë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Berisha pranoi se PD-ja nuk mori një fitore të gjerë, por gjithsesi ia arriti të marrë një mandat qeverisës. “Sido që të jetë, e madhe apo e vogël, fitorja është e shndritshme”, - tha ai. Berisha i është referuar edhe deklaratës së deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Dritan Prifti, i cili garantoi se vota e tij do të jetë në mbështetje të mazhorancës së djathtë të dalë nga këto zgjedhje. Berisha bëri me dije se deputetit të LSI-së ajo deklaratë i ka kushtuar. “Kështu që kjo mazhorancë aktuale i ka të gjitha numrat dhe me vullnetin e shprehur edhe nga deputeti Prifti, që siç e keni dëgjuar publikisht po e kërcënojnë në mënyrat më të turpshme”, - deklaroi kreu i PD-së. Ndërkohë mësohet se PD ka nisur kontaktet me faktorë të ndryshëm, për t’i afruar në koalicionin e djathtë.
Kryetari i PD-së ka bërë përgjegjës drejtues të lartë të Partisë Socialiste për problematikën, përplasjet dhe tonet e ashpra të përdorura gjatë natës së dy ditëve më parë në Fier. Berisha tha se ngjarja e së mërkurës në mbrëmje ishte një akt i ulët dhe i shëmtuar. Ai bëri me dije se me rritjen e tensionit urdhëroi çdo mbështetës dhe anëtar të PD-së të largohej nga territori ku numëroheshin votat, urdhër që u zbatua menjëherë. “Më pas komisionerët tanë mbaheshin peng në mënyrë të paskrupullt nga deputetë dhe turma e Partisë Socialiste dhe u kërkohej të numëronin nën diktatin e tyre. “Ata kanë frikë nga rezultati i vërtetë, ata donin që në Fier të përcaktonin rezultatin me hu, me dhunë. Arsyeja e vetme është se donin të përcaktonin rezultatin me policët e bashkisë së Edi Ramës dhe me menaxherët apo kryepunëtorët e Koço Kokëdhimës. Nëse zoti Rama donte rezultatin e vërtetë të qendrave të panumëruara në Fier, pse donte të nxirrte atë rezultat me dajak dhe me kërcënime e kushtrime nga Tropoja gjer në Gjirokastër për t’u mbledhur”, - deklaroi ai. Berisha tha se të gjithë duhet të ndjekin ligjin dhe se askush nuk mundet të cenojë qoftë dhe një votë të vetme.
“Harasani me sjelljen e një banditi ordiner”
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar aktin e deputetit socialist Andis Harasani, i cili kishte goditur me karrige një komisioner të PD-së në Rrogozhinë. “Andis Harasani, deputet i PS-së, me sjelljen e një banditi ordiner sulmoi me karrige njeriun e ligjit, komisionerin e PD-së në Rrogozhinë, para kamerave të lokalit ku numëroheshin votat, për fajin e vetëm se ky komisioner po zbatonte ligjin”, - deklaroi Berisha. Sipas tij, ngjarja ishte tepër e shëmtuar. “Ai ishte standardi i Edi Ramës, nuk ishte standardi i kësaj mazhorance dhe i qeverisë. Natyrisht që zgjedhjet janë në proces shumë faktorial, por mendoj se ngjarja e shëmtuar në Rrogozhinë, ku Andis Harasani përdori imunitetin për të sulmuar si kafshë me karrige të tjerët para kamerës i regjistruar, do të shkojë në gjyq”, - u shpreh Berisha. Ai tha se nuk mund të sulmohet një njeri i thjeshtë në atë mënyrë. Kreu i PD-së shprehu besimin se drejtësia do të japë verdiktin e saj ndaj deputetit Harasani.
“Edi Rama më tha se nuk do t’i njohë zgjedhjet”
Lideri i demokratëve ka bërë me dije se kundërshtari i tij, kreu i PS-së Edi Rama, i kishte thënë përmes personave të tjerë se nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe se do të organizonte protesta popullore. “Dje (pardje) gjatë ditës Edi Rama përmes emisarëve të tij më komunikoi se t’i njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe se kishte vendosur të nxjerrë popullin në protesta. Përgjigjja ime ishte se ky është një vend i lirë dhe se qytetarët mund të protestojnë lirisht. Është një standard i demokracisë shqiptare, i konsoliduar, por natyrisht rezultat zgjedhjesh me protesta nuk mund të ndryshojë”, - tha Berisha. Sipas tij, emisari i Ramës ishte biznesmeni Koço Kokëdhima. “Për koincidencë, pikërisht emisarë të cilët u dërguan për të komunikuar vendimin e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe që kërcënuan se do të organizonin protestat më të fuqishme popullore që ka njohur vendi, rastisi të jenë biznesmen në Tiranë dhe në Fier, dhe ky është Koço Kokëdhima”, - tha ai.
“Proces shumë i mirë, me përjashtim të dy rasteve”
Kreu i demokratëve ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka qenë brenda standardeve. Kryedemokrati Berisha tha se përgjithësisht ka qenë një proces shumë i mirë, me përjashtim të dy rasteve: ai i Rrogozhinës dhe i Fierit. Berisha rikonfirmoi vlerësimin e tij se i gjithë procesi zgjedhor ka qenë më i miri, më transparenti dhe më i ndershmi në historinë e zgjedhjeve demokratike në vend. Ndërsa për sa i përket kohëzgjatjes së procesit të numërimit të votave, kreu i PD-së tha se ishte parashikuar. Megjithatë, duke marrë në konsideratë se është dashur më shumë kohë, ai u shpreh se do të merret në konsideratë fakti që në zgjedhjet e ardhshme të përcaktohen më shumë qendra të numërimit të votave. Por ai nënvizoi se nuk do të hiqet dorë nga përdorimi i elektronikës, e cila është një arritje e madhe. “Fakti që këto qendra janë on-line është fantastike. Çdo votë zoti Rama mund të shkojë ta kontrollojë në KQZ”, - deklaroi Berisha.