E Diel, 1 Nëntor 2026

I dërguari i OKB-së propozon ndarjen administrative të Kosovës



Diplomati i OKB-së, Andreu Landlei, i cili po ndërmjetëson bisedimet indirekte mes Prishtinës dhe Beogradit, ka propozuar ndarjen administrative të Veriut nga pjesa tjetër e Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja “Koha ditore”, e cila u referohet burimeve të larta ndërkombëtare dhe atyre vendore. Në takimin që ka zhvilluar me krerët e institucioneve kosovare i dërguari i OKB-së për ndërmjetësimin në “dialogun” Prishtinë-Beograd rreth konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë propozoi ndarjen e Veriut të Kosovës nga pjesa tjetër. Ai u takua me presidentin Fatmir Sejdiu, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me zv/kryeministrin Hajredin Kuçi, për të komunikuar zyrtarisht propozimin e tij. Megjithatë, sipas burimeve të kësaj gazete, liderët kosovarë nuk e kanë lejuar të dërguarin e OKB-së as të shpalosë propozimin, duke i dhënë fund në mënyrë të njëanshme takimit. Propozimi i Landleit, sipas kësaj gazete, parashikonte që dogana në Veri të funksionojë e ndarë nga sistemi doganor i Republikës së Kosovës, ndërsa të ardhurat nga hyrjet e mallrave në këtë pjesë të mbeten në shfrytëzim të autoriteteve lokale, përkatësisht komunat serbe që udhëhiqen nga strukturat paralele të dirigjuara nga Beogradi. Po ashtu, për policinë, Landlei ka propozuar komandë të veçantë në Veri, të shkëputur nga komanda qendrore në nivel të Kosovës. Burimet e kësaj gazete kanë bërë të ditur se këto propozime janë hedhur menjëherë poshtë nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës, pasi ata kanë vlerësuar se një plan i tillë formalizon ndarjen e Veriut nga pjesa tjetër e vendit. I dërguari i OKB-së, Andreu Landlei, është zgjedhur për të ndërmjetësuar bisedimet indirekte mes Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve që kanë mbetur pezull si doganat dhe gjykatat. Ndërkohë gjendja e sigurisë në Veri të Kosovës ka qenë e qetë gjatë kësaj jave. Në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës, kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se disa incidente të vogla janë shënuar në Veri të komunës.
Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë së Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se edhe në jug të qytetit gjendja ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident serioz që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›