Miron Topçiu, befasia e pikturës shqiptare në Bukuresht
Kohët e fundit, në një nga galeritë qendrore të artit, në Bukuresht, në Galerinë Apollo, e ndodhur në ndërtesën e Teatrit Kombëtar Rumun, nën kujdesin e Lidhjes së Artistëve Figurativë Rumunë, u çel ekspozita e titulluar “Açent” (Theks), me pjesëmarrjen e disa artistëve të afirmuar rumunë Delia Calinescu-Zoita, Anca Albani, Jean Albu, Matei Enric, Mirela Iordache, Iustinian Scarlatescu, Cristina Nedelea dhe me pjesëmarrjen e të riut shqiptar Miron Topçiu. Në hapjen e ekspozitës, përpos artistëve, kritikëve të artit, personaliteteve të kulturës, artdashësve, mori pjesë dhe Ambasadori ynë në Bukuresht Dashnor Dervishi dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. 16 vjeçari Miron Topçiu, i njohur dhe i çmuar së tejmi në forumet ndërkombëtare në internet, merr pjesë në ekspozitën e dytë të rëndësishme, pas asaj që çeli gjatë verës së kaluar në Galerinë e Arteve të qytetit Pogradec, së bashku me piktorin Gentian Zeka. Miron L. Topçiu sjell 5 tablo abstrakte, me gjeste e shenja që evokojnë mendime, personazhe, lëvizje harmonike ngjyrash që prodhojnë tension, harmoni, alternime të qetësisë me zhurmën, me një plasticitet të spikatur. Tablotë e paraqitura nga piktori i ri shqiptar janë çmuar nga mjaft artistë dhe kritikë arti. Pjesëmarrjen e tij në këtë ekspozitë e konsideruan një sukses të merituar të tij. “Shtëpia në liqen”, “Mendimet e kuqe të Sarah-s”, “Metafora e dritës” ishin punimet më të vlerësuara nga kritika profesioniste. Kritiku i artit Vlad Bulat do të shprehej: “Miron L. Topçiu ekspozon me artistë profesionistë, pa rënë në sy diferenca midis punimeve, kjo gjë mendoj se shpreh shumë për një 16 vjeçar, që me cilësinë e punimeve të tij i imponohet botës profesioniste dhe elitare të artit të sotëm. Fakti që ai është nga Shqipëria, mendoj se është një fakt pozitiv që sjell një dialog kulturor të gjallë dhe të dobishëm” Profesori i Akademisë së Arteve, piktori i njohur Minu Movila u shpreh: “Miron Topçiu është një artist i vërtetë, një talent autentik, me një gjuhë plastike të formuar, me ndjeshmëri të rrallë dhe thellësi mendimi artistik”. Ekspozita Açent/Theks, e kuruar me shume sqimë, bashkon më shumë autorë, më shumë stile dhe krijon një “kor zërash” të dallueshëm dhe që nga ana tjetër krijojnë një dialog, një komunikim midis elementesh të kundërt, elementesh të afërt, figuratives dhe abstraktes, gjetjeve të thjeshta e dekorative dhe gjesteve figurative plot mesazhe filozofike e mjete piktorike të ndërlikuara. Mistika dhe shenjat me ngarkesë fetare lexohen në veprat e Cristina Nedelea. Simbolika, personazhet, dekoret rimerren dhe riaktivizohen në një kontekst të ri, në një realitet modern, me modifikime figurative, strukturash dhe shenjash. Piktorja shquhet për një ndjeshmëri ngjyrore, për kalime të buta në trajta të ndryshme. Në tablotë e piktorit Jean Albu, dallohet prania e një personazhi, autoportreti, nën elemente artkitekturore të ngarkuara, arkada të pleksura, kapitele, që më shumë paraqesin arkitekturën e mendjes së njeriut, si një strehë, ku mund të fshihen mendimet. Gjithashtu, tablotë janë dhe një evokim mbi marrëdhëniet e njeriut me ndërtesën, artiktekturën, këtë prodhim të tij, ku njeriu realizon ëndrrat jo vetëm për banim, por dhe të gjitha dëshirat dhe për të nënvizuar dhe matrializuar imagjinatën dhe fantazinë e tij. Duke përdorur e respektuar teknikat e afreskut dhe simbolikat e pikturës fetare, duke riaktivuar simbolet e pikturës bizantine në kohën moderne, duke çmitizuar kuptimet bazë të pikturës mesjetare, duke ruajtur shenjat, konvencionet, teknikat e pikturimit, piktori Matei Enric sjell nota të qarta personale dhe të dallueshme si stil. Artisti i kushton një vëmendje të posaçme harmonisë dhe gamave koloristike, përpunimit të sipërfaqeve të vogla, teksturës, kompozimit jokonvencional, duke përdorur formate të panjohura, të parregullta, varësisht nga subjekti që trajton. Ekspozitës iu kushtua një emision i posaçëm në televizionin publik TVR Cultural.
F. Struga
1 Tetor 2008