E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mozaik 2008” sjell frymën e artit vjenez në Durrës



Petrika GROSI
Nën titullin “Mozaik 2008” po zhvillohet Java e Kulturës Austriake në qytetin bregdetar të Durrësit. Në kuadër të këtij eventi, që organizohet për të dytin vit radhazi dhe që tashmë synon shndërrimin në një traditë në vendin tonë, janë ftuar 10 pedagogë austriakë të muzikës sëbashku me dy asistentë artistikë. Programi i kësaj jave të veçantë mbi ajkën e kulturës dhe artit austriak përmban zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme duke nisur që nga koncertet, pjesët teatrale si dhe organizime të tjera të kësaj natyre që do të mbahen në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë. E para shfaqje e Javës së Kulturës Austriake është tragjikomedia “Tango” e shkrimtarit me origjinë polake Slavomir Mrozek, që vjen nën regjinë e Driada Dervishit. Regjisoria shpjegon se ka bërë përzgjedhjen e kësaj pjese jo rastësisht, por sepse ndonëse autori e ka shkruajtur tragjikomedinë para 43 vitesh, ajo tingëllon tepër aktuale edhe sot. Artistët që luajnë në rolet kryesore të kësaj shfaqjeje ku nuk mungon as grotesku dhe as teatri absurd janë Aishe Stari (Artiste e merituar) Nik Xheliaj, Xhelal Tafaj, Sanie Hoti, Eralda Çaushi, etj. Projekti i Javës së Kulturës Austriake ka startuar para një viti me mbështetjen e Ministrisë së Marrëdhënieve Europiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, ndërkohë që në rolin e organizatorëve kemi dy fondacione kulturore siç janë “Bluepidamus” dhe fondacioni austriak “Peter Mahringer”. Gjithashtu, dy kontribues me vlerë në këtë aktivitet janë Bashkia e Durrësit dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë. “Mozaik 2008” veç të tjerash përfshin në programin e tij edhe koncerte me qëllim bamirësinë kundrejt fëmijëve në nevojë dhe pa përkrahje. Qëllimi i kësaj jave të veçantë, veç këmbimit të përvojave dhe njohjes së traditës artistike e kulturore austriake, është mbështetja e studentëve, pedagogëve dhe institutucioneve artistike të mësimdhënies shqiptare për tu përballur me mënyrat dhe format e reja të artit bashkëkohor.
Mes të tjerash, një koncert me muzikë të vjetër në muzeun arkeologjik të Durrësit nga “Trio Labyrinthe” do të sjellë tingujt e flautit, violinës dhe muzikës baroke në përgjithësi.
Si protagonistë shfaqen Fani Vovoni, Eugene Michelangeli dhe Dimitris Kountouras. Gjatë javës, nuk mungojnë veprimtaritë që përfshijnë takime pune e seminare me nxënës-artistë e pedagogë.
Ndërkaq, do të ketë edhe stimuj për talentet, pasi në fund të koncerteve do të jepet një çmim për kompozitorin e ri më të mirë. Sipas organizatorëve, një tjetër hapësirë me rëndësi të veçantë është ajo kushtuar pantomimës, për të cilën do të zhvillohet një kurs nën drejtimin e pedagogut austriak të aktrimit Zielko Jançiç. Ndërkaq, një kurs tjetër siç është ai i kompozicionit drejtohet nga Manfred Wagner Artzt. Në këtë kurs marrin pjesë 12 kompozitorë të rinj shqiptarë, por vetëm njëri prej tyre në fund do të shpallet fitues, duke pasur kështu të drejtën e ndjekies së një kursi për kompozicion në kryeqytetin austriak të kulturës, në Vjenë.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›